Lajme
Komplikohet situata, LDK-ja me kandidat për kryesues të Kuvendit Komunal në Gjilan
Demokracia
17:19 | 05 Janar 2022

Share:

Gjilani të premten pritet të zgjedh kryesuesin e Kuvendit Komunal.

Shumicën e votave në këtë Kuvend i ka Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila edhe ka paralajmëruar se të premten do të dalin me kandidatin e tyre për të marrë kryesimin e tij, shkruan Demokracia.com.

Ndonëse e premtja po ofrohet, kryetari i ri i Gjilanit, Alban Hyseni i Vetëvendosjes nuk ka arritur ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisjen e qytetit.

Hyseni është duke zhvilluar bisedime me të gjitha partitë në këtë komunë.

Ftesë për bashkëqeverisje nga Hyseni ka marrë edhe Lidhja Demokratike, por deri më tani as me këtë parti nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.

Avdyl Aliu nga LDK i cili ka qenë shef i Grupit të Asamblistëve të Gjilanit, ka thënë se LDK-ja të premten do të kërkojë përkrahjen për të udhëhequr me këtë Kuvend.

“Sigurisht na shkojmë pa marrëveshje në Kuvend, shkojmë me intencën që me zgjedh kryesuesin tonë. Kemi shumicën e votave. Unë kam qenë pjesë e takimeve që i kemi pasur. Gjilani për dallim prej qyteteve të tjera nuk ka pasur vija të kuqe asnjëherë, këtu bisedohet të gjithë me të gjithë. Ne LDK-ja në Gjilan jemi fitues të zgjedhjeve për Kuvend Komunal”, tha Aliu për Demokracia.com.

Ai ka treguar për Demokracia.com ecurinë e bisedimeve me Vetëvendosjen. Sipas Aliut nuk kanë biseduar për ndarje të pushtetit.

“Bisedime të përgjithshme, kemi folë më shumë për parime, mundësinë me qeverisë bashkë, ata nuk kanë udhëhequr asnjëherë me komunën kurse ne kemi përvojë të madhe, qysh duhet më udhëheq, qysh duhet me vazhdu me punu bashkë. Jo ata na kanë ofruar neve bashkëqeverisje. Edhe ne ju kemi thënë që ne jemi për Kuvend, se ne jemi fitues jemi fitues dhe besoj që e zgjedhim kryesuesin tonë. Nuk kemi folur për detaje veç ju kemi thënë që Kuvendi është i joni, këqyrni rezultatet e zgjedhjeve edhe qevrisja të ndahet barabar”, shtoi Aliu.

Aliu ka theksuar se kontakti i fundit me Vetëvendosjen ka qenë të premten e kaluar dhe s’e nuk presin ndonjë ofertë tjetër nga Vetëvendosje.

“Ata janë duke bërë oferta në të gjitha anët dhe ne nuk presim ftesë”, shtoi Aliu.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan ka fituar 14 ulëse në Kuvend Komuna. Lëvizja Vetëvendosje nga zgjedhjet fundit ka fituar dhe asamblistë. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 5 ulëse, AAK 2 vende, AKR 1, Lëvizja Vatra 1, Lista Serbe 1, KDTP 1.

Drejtoritë “mollë sherri” për arritjen e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe PDK-së në Gjilan  

 

Të ngjashme