Lajme
Drejtoritë “mollë sherri” për arritjen e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe PDK-së në Gjilan  
Demokracia
16:43 | 05 Janar 2022

Share:

Të premten më 7 janar është caktuar të mbahet seanca për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Gjilanit.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që i ka fituar zgjedhjet, ende nuk ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, raporton Demokracia.com.

Vetëvendosje është në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës, por ende nuk e kanë finalizuar marrëveshjen e koalicionit.

PDK-ja po pret të marrë postin e kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe katër drejtori.

Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe Leonora Morina-Bunjaku, ish-kandidate për kryetare e kësaj komune.

“Jemi në bisedime, por akoma nuk kemi ardhur deri te ndonjë vendim”, ka thënë Morina-Bunjaku për Demorkacia.com.

Ajo ka treguar se PDK-ja, fillimisht, kishte kërkuar postin e nënkryetarit të Gjilanit, pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe 5 drejtori.

“Kërkesa jonë fillimisht ka qenë pesë drejtori dhe postin e kryesuesit dhe nënkryetarit. Ndërsa, ata na kanë ofruar tri drejtori dhe postin e kryesuesit”, shtoi ajo.

Morina-Bunjaku ka treguar se takimi i fundit me Vetëvendosjen ka qenë të martën në mbrëmje.

Sipas saj,  është planifikuar edhe një takim për ditën e sotme, por edhe ky është shtyrë.

“Sot kemi pasur me u taku. Alban Hyseni e ka paralajmëruar shtyrjen e këtij takimi. Ende nuk na e kanë konfirmuar nëse e pranojnë apo jo marrëveshjen. Mbrëmë kemi pasur takim dhe këto kanë qenë kërkesat tona”, ka thënë ajo për Demokracia.com.

Edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, është shprehur i bindur se të premten, kur është caktuar seanca e radhës e Kuvendit Komunal në Gjilan, do të zgjidhet kryesuesi i asamblesë. /Demokracia.com/

Të ngjashme