Lajme
Kompensimi i orëve – Jasharaj, Nagavcit: Gjatë okupimit përjetuam vizita të inspektorëve serbë, me inspektorë po na kërcënon edhe ti
Demokracia
15:16 | 14 Tetor 2022

Share:

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sërish me mospajtime por kësaj radhe për shkak të orëve mësimore të shtunave.

MASHTI ka bërë thirrje për kompensimin e orëve të humbura gjatë të shtunave, ndërkaq kundër kanë dalë SBASHK-u.

Kundër kompensimit të orëve të humbura janë shprehur edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Lexoni të plotë shkrimin e Rrahman Jasharajt nga SBASHK-u:

Nagavci dhe kanuni i Albin Kurtit

Në të kaluarën e largët shqiptarët vepronin me Kanunin e Lekë Dukagjinit sepse nuk kishte qeveri e ligje të aprovuara nga parlamenti. Në ditët e sotme Kosova përmes votimit në Parlament nëpër vitet e shkuara të lirisë e duke respektuar edhe këshillat e miqve ndërkombëtar krijoi ligje dhe madje edhe Kushtetutën. Këto tani e sa kohë po shkelen vazhdimisht.
Nagavci u pa qartë dhe u vërtetua se ka shkel Kushtetutën dhe hiç asgjë. Qeveria Kurti e trimëruar nga vota e fituar dhe të pafytyrët e me emra të rrejshëm në Facebook dhe disa analistë që ju mungon edhe elementarja njerëzore e mbrojnë dhe e trimërojnë Kanunin e Albin Kurtit dhe qeverisë që ai përfaqëson.

Kur ka ligje e shkelen nuk ke si të thuash ndryshe veç se po instalohet Kanuni i Albin Kurtit që hedh poshtë gjithë ligjet e Parlamentit. Zoja Nagavci nuk thotë gjë para opinionit se ka shkel ligjet bashkë me Hekuran Muratin dhe mundohet të ndëshkonte vetëm punëtorët e arsimit për grevën se grevistëve të tjerë ua kishte ndarë pagat. Lufta me SBASHK-un dhe arsimin ka vazhduar e po vazhdon dhe dihet pse për ta zhdukur këtë sindikatë që është e fortë dhe nuk dorëzohet.
Zonja Nagavci në vend që të tregojë drejt se Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës në nenin 43 e në pikën 8 e thotë qartë e orët e humbura në grevë nuk zëvendësohen përveç nëse palët nënshkruese arrijnë marrëveshje të veçantë.

Nagavici duke u munduar ta ruaj pozitën e ministres, që mund t’ia marr shefi nuk lodhet duke shkelur Kushtetutën e Ligjet e as edhe Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës vetëm e betim të jetë pjese Kanunit të Albin Kurtit. Tani ajo po kërcënon edhe me deklarimin se “mosmbajtja e orëve qenka vepër penale”.

Mjerim ky i Nagavcit.

Zonja Nagavci, unë si njëri nga ata që kishim bërë angazhime sublime ta mbrojmë arsimin shqip nga furtunat e pushuesit dhe ishim po ata që u bëmë pjese grevës së 3 shtatorit të asaj kohe të okupimit, përjetuam pastaj vizita të inspektorëve të policisë serbe e të UDB-së me përndjekje e grushta e shkelma. Me inspektorë po na kërcënon edhe tani ti.
SBASHK-u as në ato vite nuk u nënshtrua e as në këto ditë të Kanunit të Albin Kurtit nuk do të nënshtrohet.

Mendo kush do të jesh ti nesër e në vitet e lavdishme të betejave për mbrojtjen e arsimit shqip ti nuk ishte askund e as edhe të pafytyrët që po më shajnë mua e mësimdhënësit e atyre viteve. Ndalu pak se kolltuku nuk zgjat me vite po jeta zgjat më shumë dhe vështirë të jetosh e turpëruar.

Të ngjashme
Lajme • 27 Shkurt 2024