Lajme
Kisha Ortodokse në Mitrovicë të Veriut pasurohet në mënyrë të mistershme
Demokracia
21:03 | 25 Prill 2024

Share:

“Kisha do të na ruajë të mbijetojmë, kurse ne duke e ruajtur atë, do ta ruajmë vetëveten”. Ky i ishte fjalimi i udhëheqësit të atëhershëm të kishës ortodokse Artemije, në mes të shtatorit të 2003-ës, ditën kur në Kodrën e Minatorëve, në Mitrovicë të Veriut, u vu gurthemeli për ndërtimin e kishës “Shën Dhimitri”.

Gati 20 vjet pas këtij fjalimi, kisha jo vetëm që u ruajtë, por edhe u pasurua. Kjo kishë zgjeroi territorin e saj në një mënyrë të mistershme e të dyshimtë. Në tri parcela të cilat ishin në pronësi të shtetit të Kosovës, me financim të Qeverisë së Serbisë, u vunë themelet për ndërtimin e institucioneve të cilat do të ishin në shërbim të kishës.

Ngritja e objekteve u bë në sytë e të gjithëve, por jo edhe kalimi i pronësisë së këtyre pronave në pronësi të Kishës “Shën Dhimitri”. I gjithë ky skenar, në qoftë se transferimi i pronësisë u bë ndonjëherë, u realizua larg syrit të opinionit publik, madje me shumë gjasë edhe larg procedurave zyrtare.

Këtë dyshim e përforcon fakti se një objekt përcjellës i kishës, që duket të shërbejë si mësimore, ka zënë vend në parcelën me numër kadastral P-71208072-02729-0. Nga hulumtimi i Kiks Kosovës, rezulton se kjo parcelë ka qenë në pronësi të ish-ndërmarrjes shoqërore për urbanizëm, projektim dhe inxhiniering “Urbanizmi”.

Për privatizimin e saj, Agjencia Kosovare e Privatizimit, kishte shpallur dy herë tenderë. Kiksi mëson se procesi i privatizimit të saj atë vit ishte anuluar.

Prandaj, ajo u vu sërish në shitje nga AKP-ja, në shkurt të 2017-ës. Pavarësisht ofertave, emisioni mëson se privatizimi i kësaj parcele dështoi sërish.

Megjithatë, disa vite pas, në mënyrë të mistershme, mësonjëtorja e kishës “Shën Dhimitri” zuri rrënjë në këtë parcelë.

Përbri shkollës, në qershor të 2022-ës, me rreth 1 milion euro financim të Serbisë, u ngritën edhe dy institucione të tjera, Qendra Interaktive Multimediale dhe e ashtuquajtura “Akademia Shpirtërore”.

Këto objekte u ndërtuan në dy parcela, me numra kadastralë 2733 dhe 2734, të cilat i takojnë Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Edhe kalimi i këtyre dy parcelave në pronësi të Kishës “Shën Dhimitri” mbetet mister, pasi nuk pati asnjëherë një njoftim zyrtar se si e pse këto prona të shtetit të Kosovës kaluan në pronësi të kësaj kishe.

Përgjje për këtë, Kiksit nuk i ktheu tash e gati një javë as Komuna e Mitrovicës së Veriut, e as drejtoria për Kadastër në këtë komunë. Kiks Kosova shkoi të premten e 19 prillit në Komunë të Mitrovicës së Veriut, pasi Drejtori për Kadastër në këtë komunë, Nuhi Mehmeti, u dakordua për t’u takuar për intervistë.

Por, edhe pas gati 2 orë pritje, Mehmeti nuk e pranoi Kiksin për intervistë. Sigurimi i objektit të komunës i tha emisionit se drejtori ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen përmes e-mailit.

Pyetjet se në pronësi të kujt janë këto parcela dhe rruga “Shën Dhimitri”, këtij institucioni iu dërguan qysh të hënën e 22 prillit, por Kiksi deri në transmetimin e këtij emisioni, nuk pranoi asnjë sqarim nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, e as nga drejtori Mehmeti.

Përgjigje për pronësinë e këtyre parcelave, emisioni nuk ia dha as Agjencia Kadastrale e Kosovës. Nga kjo agjencia përmes e-mailit i thanë Kiksit se këto të dhëna është e obliguar t’ia japë Kiksit, Drejtoria për Kadastër në Mitrovicë të Veriut.

Prandaj, për të kuptuar fatin e këtyre parcelave, Kiksit shkoi sërish në Komunë, për të marrë përgjigje nga drejtori Nuhi Mehmeti. Edhe kësaj radhe, ai nuk doli me arsyetimin se është shumë i zënë.

Heshtjen për mënyrën se si këto prona kaluan në pronësi të saj, e zgjodhi edhe Kisha “Shën Dhimitri”. Kiksi Kosova shkoi dy herë në këtë kishë, herën e parë i thanë se prifti nuk është aty, ndërsa në të dytën popi nuk pranoi që të prononcohet.

Popi ishte i hapur për të drekuar a për të pirë me ekipin e Kiksit, por jo edhe të përgjigjet para kamerës së televizionit.

Të ngjashme