Lajme
KIPRED: I paqëndrueshëm krahasimi i Rusisë për situatën në Kosovë dhe në Ukrainë
Demokracia
22:44 | 21 Shtator 2022

Share:

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, i njohur si KIPRED, ka publikuar të hënën (19 shtator) një punim mbi ndërlidhjen mes pavarësisë së Kosovës dhe agresionit rus ndaj Ukrainës.

Analiza është kryer mbi luftën diplomatike ruse, dezinformimin mediatik, në një fazë tremujore, duke analizuar deklaratat publike dhe publikimet e politikës së jashtme ruse. Gjithashtu u analiza edhe ndërlidhja e situatës në Kosovë me atë të rajoneve separatiste ruse, nën spektrin rus.

Në punim u tha se përpjekjet për ta barazuar situatën në rajonet separatiste ruse në Ukrainë (Donetsk, Luhansk) me atë të Kosovës, janë mashtruese dhe manipuluese

“Këto raste janë krejtësisht të ndryshme në aspektin historik, juridik dhe politik. I vetmi emërues i përbashkët i të dy rasteve është fakti se burimet e konflikteve në Kosovë dhe Ukrainë gjenden në politikat revizioniste serbe dhe ruse. Të dyja këto vende nuk janë pajtuar me hartën e re gjeopolitike, që doli pas shpërbërjes së federatave komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë Socialiste”.

Sipas KIPRED-it, është i pamundur krahasimi i situatës gjeopolitike së Kosovës me atë të Krimesë e të rajoneve të tjera ukrainase. Në punim thuhet se të dyja shtetet kanë kaluar rrugë të ndryshme drejt sovranitetit.

“Rruga drejt krizës në Ukrainë është krejtësisht e ndryshme. Në thelbin e problemit qëndron impulsi perandorak i Rusisë, që manifestohet me pretendimin e Putinit se Moska i mban çelësat e sovranitetit të ish-republikave sovjetike, dhe si rrjedhim, ato mund të jenë sovrane në masën ‘që Rusia ndihet rehat’. Në këtë drejtim, sipas kushteve të Putinit, Rusia mund ta përballojë të ketë një Ukrainë të pavarur vetëm nëse do të qeverisej nga një qeveri pro-ruse”.

Instituti thekson se për dallim nga Kosova, Krimeja, Donetsku dhe Luhansku, nuk kishin asnjë status kushtetues federal brenda Federatës Sovjetike.

Autorë të punimit janë Bekim Sejdiu dhe Lulzim Peci. Kontribuoi edhe Mentor Agani.

Dokumentin e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.

Të ngjashme