Lajme
Kina thotë se ka qenë “e hapur dhe transparente” për origjinën e COVID-19
Demokracia
15:02 | 28 Shkurt 2023

Share:

Kina tha të martën se ka qenë “e hapur dhe transparente” në kërkimin e origjinës së COVID-19, pasi pyetjet se si filloi pandemia morën vëmendje të re.

Së fundmi, Departamenti Amerikan i Energjisë vlerësoi me “besim të ulët” se pandemia që u zbulua për herë të parë në qytetin qendror kinez të Wuhanit në fund të vitit 2019 filloi me rrjedhjen e një virusi nga një laborator. Raporti nuk është bërë publik.

Kina “kishte ndarë shumicën e të dhënave dhe rezultateve të kërkimit mbi gjurmimin e virusit dhe kishte dhënë kontribute të rëndësishme në kërkimin global të gjurmimit të virusit”, u tha gazetarëve në një konferencë për media zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Mao Ning Mao.

“Politizimi i çështjes së gjurmimit të virusit nuk do të njollosë Kinën, por vetëm do të dëmtojë besueshmërinë e vetë SHBA-së,” tha Mao, në përgjigje të ankesave të zyrtarëve amerikanë dhe anëtarëve të Kongresit se Kina nuk ka qenë plotësisht bashkëpunuese.

Komentet e saj erdhën mes pyetjeve të vazhdueshme se si u shfaq për herë të parë virusi që ka vrarë më shumë se 6.8 milionë njerëz në mbarë botën, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.

Të tjerë në komunitetin e inteligjencës amerikane nuk pajtohen me vlerësimin e Departamentit të Energjisë të SHBA-së për rrjedhjen e laboratorit, duke përmendur mendime të ndryshme brenda qeverisë. “Thjesht nuk ka një konsensus të komunitetit të inteligjencës,” tha të hënën John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk pranuan të konfirmojnë raportet e shtypit në lidhje me vlerësimin.

Në vitin 2021, zyrtarët publikuan një përmbledhje të raportit të inteligjencës që thoshte se katër anëtarë të komunitetit të inteligjencës amerikane besonin me besim të ulët se virusi fillimisht u transmetua nga një kafshë te njeriu dhe një i pesti besonte me besim të moderuar se infeksioni i parë njerëzor ishte i lidhur me një laborator.

Të ngjashme