Lajme
KFOR: Nuk spekulojmë për ndonjë skenar të ardhshëm në veri
Demokracia
19:24 | 24 Dhjetor 2023

Share:

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide në lidhje me sigurinë, derisa ka shtuar se “nuk do të spekulojë për ndonjë skenar të ardhshëm” për mundësinë e përsëritjes së sulmeve në veri.

Në një përgjigje për KOHËN, Zyra e Komunikimit tha se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe me organizatat e sigurisë, e edhe me EULEX-in, Shtabin e Forcave të Armatosura të Serbisë, OSBE-në dhe OKB-në.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). KFOR-i vazhdon të operojë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në vizitën e tij të fundit në Ballkanin Perëndimor nëntorin e kaluar, ‘stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës’”, thuhet tutje.

KFOR-i ka shtuar se e mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se “palët duhet të angazhohen në mirëbesim”.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX)”, thuhet në një përgjigje.

Situatën në veri të vendit, KFOR-i e ka cilësuar të qetë, por të brishtë.

“Ne nuk do të spekulojmë për ndonjë skenar të ardhshëm. Jemi në kontakt të ngushtë me institucionet në Kosovë dhe organizatat e sigurisë së Kosovës, si dhe me palë të tjera të interesuara, duke përfshirë misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, OSBE-në dhe OKB-në. Ne jemi duke monitoruar nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në rajon. KFOR-i mbetet i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Ndërsa, institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se Serbia po përgatitet për të kryer sërish sulme. Një të tillë e ka bërë të shtunën kryeministri Albin Kurti.

“Pas sulmit terrorist, Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dymijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëzon ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë”, ka thënë kryeministri Kurti në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Pas sulmit të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia është duke u përgatitur “për një tjetër akt duke forcuar forcat e armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën”.

Të ngjashme