Lajme
KFOR-i për situatën në veri: Lehtë mund të përshkallëzohet
Demokracia
10:30 | 04 Tetor 2023

Share:

Ndonëse kanë kaluar mbi 11 ditë nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, situata e sigurisë vazhdon të mbetet fragjile. Në lidhje me këtë temë, misioni i NATO-së në Kosovë, pra KFOR-i, tashmë ka marrë vendim për shtimin e numrit të trupave në Kosovë. KFOR-i ka dhënë disa detaje për Klan Kosovën në lidhje me mobilizimin e trupave të KFOR-it pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Çka tha KFOR-i?

Në përgjigjen për Klan Kosovën, KFOR-i ka pasur edhe një vlerësim të situatës në veri, e cila, sipas këtij msioni, mbetet e paqëndrueshme. Madje, KFOR-i ka paralajmëruar se situata në veri lehtë mund të përshkallëzohet.

“Situata e përgjithshme në Kosovë mbetet e paqëndrueshme dhe lehtë mund të përshkallëzohet”, thuhet në një përgjigje të KFOR-it për Klan Kosova.

Në përgjigjen e tyre, KFOR-i ka treguar se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka autorizuar vendosje ne trupave shtesë në Kosovë, në mënyrë që të adresojë situatën aktuale në veri.

“Më 28 shtator, Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi vendosjen e forcave shtesë, për të adresuar situatën aktuale. Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë gjenden në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë.” – shtohet në përgjigje.

Ndryshe, edhe Rumania do të dërgojë një kontigjent me rreth 100 ushtarë në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjskë. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Rumanisë ka njoftuar se do të shtojë prezencën e trupave të saj në Kosovë pas sulmit në Banjskë.

“Pas autorizimit nga Këshilli i Atlantikut të Veriut në lidhje me forcat shtesë për të menaxhuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, Rumania do të vendosë në të ardhmen e afërt një nën-njësi në nivel kompanie, të emëruar si pjesë e rezervës strategjike në dispozicion të SACEUR, brenda operacionit të NATO-KFOR-it në Kosovë. Rumania ka marrë përsipër, si një aleat i NATO-s dhe vend anëtar i BE-së, përkushtimin për të kontribuar me forca dhe mjete ushtarake në përpjekjet për të ruajtur një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, njoftoi kjo ministri, transmeton Klan Kosova.

Të ngjashme