Lajme
KFOR-i konfirmon raportimin e Demokracia.com: Parashutistët serbë zhvilluan stërvitje brenda Zonës së Sigurisë
Demokracia
19:33 | 01 Korrik 2022

Share:

KFOR-i ka konfirmuar raportimet e Demokracia.com se disa parashutistë serbë kanë kryer stërvitje në zonën e Kragujevacit dhe se autoritetet serbe e kishin paralajmëruar këtë.

KFOR në një përgjigje për Demokracia.com, ka thënë se stërvitjet u zhvilluan përgjatë vijës kufitare, në anën serbe, gjatë periudhës 29 dhe 30 qershor.

“Sipas informacioneve të KFOR-it, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë zhvilluar një stërvitje në zonën e Kragujevacit brenda Zonës së Sigurisë Tokësore në anën serbe të vijës kufitare administrative, në periudhën 29 dhe 30 qershor”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

KFOR tutje për Demokracia.com ka bërë të ditur se stërvitja ishte paralajmëruar nga autoritetet serbe.

“Stërvitja është paralajmëruar nga autoritetet serbe në përputhje me procedurat ekzistuese. KFOR-i mban një prani në të gjithë Kosovën dhe vazhdon të kryejë patrullime ditore, duke përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës, në respekt të plotë të mandatit të tij të OKB-së që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Demokracia.com ka raportuar të mërkurën ekskluzivisht se një helikopter i Serbisë gjatë mëngjesit të sotëm ka lëshuar disa parashutistë në kufirin me Kosovën, saktësisht te fshati Miroc i Podujevës.

Banorët e kësaj pjese e kishin vërejtur një helikopter të Serbisë, i cili kishte lëshuar disa parashutistë në zonën kufitare me Kosovën dhe ata dyshohet se kishin rënë edhe në territorin e Kosovës.

Një familjar i dëshmitarit të rastit, i cili posedon edhe dëshmi vizuale, ka thënë se menjëherë është angazhuar njësia reaguese e policisë së bashku me njësinë e kufirit dhe ato janë marrë me rastin.

Familjari i këtij dëshmitari ka treguar për Demokracia.com se e kanë vërejtur sërish helikopterin serb, i cili dyshohet se i ka mbledhur parashutistët serbë dhe ka vazhduar më pas drejt Serbisë. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme