Lajme
“Këto janë lidhjet e shkurta korruptive që thoja para një viti”: Haradinaj flet për “dosllarët” Kurti-Ridi
Demokracia
10:34 | 21 Gusht 2023

Share:

Lëvizja Vetëvendosje ka instaluar “model korruptiv të lidhjeve të shkurtëra”, ishte shprehur para mëse një viti, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, derisa sot e ka kthyer sërish këtë frazë pas arrestimit të tre personave në lidhje me aferën e vajit dhe grurit, ku njëri prej tyre ishte person krejtësisht privat dhe mik i afërm i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Fjala është për Ridvan Muharremi, pronar të një restaurani ku Kurti e frekuenton me të madhe; vend ky i cili doli të jetë më shumë se sa thjesht një ambient dreke e darke.

Haradinaj ka reaguar pas videos brutale ku kryeministri kosovar u “mëshoi” të gjithëve – prej mediave, opozitës, pushteteve të kaluara, e sistemit të sotëm të drejtësisë – krejt kjo duke e mënjanuar llogaridhënien për paratë e paguara përmes Ridvan Muharremit për vajin, një pjesë të grurit dhe sheqerit që s’erdhi kurrë – e ku dëmi monetar i buxhetit të shtetit besohet të jetë diku rreth 600 mijë euro.

“Këto janë ato lidhjet e shkurtëra të kapjes së shtetit me miq e dosllarë, për të cilat e kam pasë ngritur alarmin këtu e një vit më parë, lidhje këto të cilat po dalin në shesh përditë e më shumë”, shkroi Ramush Haradinaj.

“Albin Kurti është i vetmi kryeministër që nuk i beson sistemit të shtetit të vet, por krijon sistem paralel. Ai edhe për operacionet më të ndjeshme të qeverisjes e të shtetit, që prekin edhe sigurinë kombëtare, angazhon njerëz që janë jashtë institucioneve, por që mjafton të jenë jarana të tij, siç ishte edhe rasti me Ridvan Muharremin”, ka shkruar ai.

Të ngjashme