Lajme
Këto janë katër vendimet anti-kushtetuese nga pushteti i Kurtit
Demokracia
21:53 | 08 Prill 2022

Share:

Një ditë para Ditës së Kushtetutës, ministrja e Qeverisë së Kosovës, Arbërie Nagavci, shkeli aktin më të lartë juridik të vendit. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se një vendim i ministres lidhur me reformat e arsimit në Kamenicë është kundër frymës kushtetuese. Megjithëse, ky nuk është rasti i parë. Vendimet anti-kushtetuese të institucioneve i kanë përcjellë pothuajse secilën qeverisje qendrore.

Qeveria dhe shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend, për një kohë jo të gjatë, nxorën katër vendime kundër-kushtetuese.Ishte 24 marsi i vitit 2020, ku në krye të Qeverisë ishte Albin Kurti. Qe hera e parë që kreu i LVV-së ulej në kolltukun e kryeministrit.

Por, një vendim i tij rreth kufizimit të lëvizjes së qytetarëve si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Kosovë, vuri në lëvizje presidentin e atëhershëm, Hashim Thaçi, i cili iu drejtua me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja i dha të drejtë ish-kryetarit të PDK-së dhe rrjedhimisht e shpalli të pavlefshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës, që atëkohë drejtohej nga Lëvizja Vetëvendosje në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike.

Nuk kaluan shumë kur më 12 prill 2020, Ministria e Shëndetësisë nxori një tjetër vendim. Kësaj radhe ndërlidhej që Komuna e Prizrenit të shpallej “zonë karantine”.

As ky vendim nuk kapërceu pa kaluar në Gjykatën Kushtetuese.

Ish-deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, bashkë me 29 kolegë të asaj kohe, iu drejtua Gjykatës, për vendimin që kishte marrë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vendimi i ish-kandidatit për kryetar të Prishtinës, u cilësua si anti-kushtetues nga instanca më e lartë juridike e vendit. Kësisoj, ky vendim u shfuqizua nga Kushtetuesja.

Këtu nuk mbarojnë shkeljet e Kushtetutës, nga shumica qeverisëse e LVV-së.

Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar edhe një vendim të Kuvendit të Kosovës. Bëhet fjalë për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHC).

Kjo gjykatë njëzëri ka vendosur që vendimi i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës.

Vendimi erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë deputetë të tjerë të Parlamentit.

Një betejë me organet e drejtësisë e kishte humbur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Albulena Haxhiu më 20 shkurt të vitit 2020 në kuadër të Qeverisë Kurti 1 kishte marrë vendim për anulimin e komplet procesit të konkursit për përzgjedhjen e Noterëve.

Ky proces ishte kryer gjatë kohës kur Abelard Tahiri kishte qenë ministër i Drejtësisë.

Beteja ligjore për procesin e Noterisë kishte përfunduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Gjykata mori vendim më katër mars se ministrja Haxhiu ka shkelur Ligjin për vendosjen e anulimit të konkursit për Noterët.

Ajo vendosi për shfuqizimin e vendimit të marrë nga Haxhiu duke konstatuar se procesi i provimit të Noterisë i shpallur më 19 prill 2019 ka qenë i ligjshëm dhe i drejtë, derisa vendimin e Haxhiut e ka quajtur të kundërligjshëm.

Sfidën e radhës me ligjin e humbi edhe kolegia e saj.

Sot, Arbërie Nagavci, u bë e ditur se ka shkelur Kushtetutën përball ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati..

Gjykata Kushtetuese ka gjetur se ministrja e Arsimit, me vendimin e 23 prillit 2021, ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës, ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, vijon vendimi i Kushtetueses.

“Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

A janë kriminelë këta që e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës?

Të paktën, sipas bindjeve të Albin Kurtit, kushdo që e shkel Kushtetutën është “super-kriminel.”

Kështu thoshte kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, të paktën duke iu referuar ish-kryeministrit Isa Musatafa, më 2015. Por, Mustafa dyshohej për shkelje kushtetuese në rastin e marrëveshjes që parashihte formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ai që e shkel Kushtetutën është super kriminel, (vazhdon) nuk ka kriminel sot më të madh nëpër burgje se Mustafa, që e ka shkel Kushtetutën e po tërhiqet. E ka kap njëfarë lakime e jashtëzakonshme në pleqëri kjo është taksirat i madh”, deklaronte Kurti.

Problemet me ligjin për pushtetarët përfshijnë edhe raste të tjera hetimore të zhvilluara nga mekanizma të tjerë shtetërorë.

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka vijuar hetimet ndaj Donika Gërvallës, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lajmin e pati konfirmuar AKK-ja, por nuk ka sqaruar se në çfarë drejtimi është duke e hetuar konkretisht zëvendëskryeministren.

Ajo dyshohet për mos-raportim ose raportim të rremë të pasurisë.

Agjencia, e cila heton rastet e dyshuara korruptive të zyrtarëve të lartë publikë, tha se hetimet ndaj ministres Gërvalla përfshijnë “mbledhjen, hulumtimin dhe analizimin e dokumentacionit” dhe informacioneve të tjera lidhur me rastin.

I njëjti institucion ka ngritur kallëzim penal ndaj koleges së Gërvallës.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Ajo dyshohet për mos-raportim ose raportim të rremë të pasurisë.

Drejtori i AKK, Yll Buleshkaj i kishte thënë Paparacit se kallëzimin penal e kanë dorëzuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

Ballafaqim me ligjin kishte edhe ministri Liburn Aliu, deri në momentin kur Gjykata Themelore kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj tij, qershorin e kaluar.

Kreu i ministrisë së Infrastrukturës akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për kohën sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Së fundmi është bërë publike edhe aktakuza e 2017-s ndaj Glauk Konjufcës.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje pritet që të dalë para gjykatës për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë që e ngarkon atë për dy vepra penale.

Kryetari i Parlamentit po akuzohet për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Ai po akuzohet për ngjarjen e hedhjes se gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2016.

Për gaz lotsjellës po akuzohet edhe Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, së shpejti pritet të dalë para gjykatës lidhur me akuzën se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Nagavci po akuzohet se më 21 mars të 2018-ës, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë.

E njëjta akuzë rëndohet mbi ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me tre deputetët e LVV-së, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi.

Këta së shpejti pritet të dalin para gjykatës lidhur me akuzat se në mars të 2018-s kishin hedhur gaz lotsjellës, me ç’rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Megjithatë, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, vazhdimisht kanë ftuar prokurorët dhe gjyqtarët që të vazhdojnë punën e tyre të pakompromis në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është një ndër kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian për Kosovën që synon liberalizimin e vizave dhe integrimin në këtë mekanizëm.

Të ngjashme