Lajme
Këta janë britanikët që u dënuan me vdekje nga rusët sot
Demokracia
18:04 | 09 Qershor 2022

Share:

Dy britanikë dhe një maroken të kapur nga forcat ruse u shpallën fajtorë sot dhe u dënuan me vdekje në një gjykatë të panjohur të Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, një territor i kontrolluar nga separatistët pro-rusë, transmeton Demokracia.com.

Bëhet fjalë për ish-luftëtarë të ushtrisë ukrainase, të cilët u kapën nga forcat ruse në Mariupol.

Një nga britanikët e dënuar është Aiden Aislin (28), me origjinë nga Newark. Ai u zhvendos me familjen e tij në Mykolaiv në Ukrainë në 2018. Në të njëjtin vit, ai u bë marins në ushtrinë ukrainase dhe u martua me një grua ukrainase.

Ai më parë ka luftuar krah për krah me luftëtarët kurdë në Siri kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Që nga kapja e tij, mediat ruse pro-regjimit kanë publikuar foto dhe pamje të tij, në të cilat ai dukej i fryrë dhe i mavijosur në fytyrë. Një nga regjistrimet tregonte se ai po merrej në pyetje

Një tjetër britanik i dënuar sot, Shaun Pinner, është 48 vjeç dhe vjen nga Bedforshire. Familja e tij thotë se ai ishte një anëtar i shquar i Ushtrisë Britanike përpara se të transferohej në Ukrainë në vitin 2018, ku përdori përvojën e tij të mëparshme për të trajnuar ushtarë ukrainas.

“Shaun ka shijuar mënyrën e jetesës ukrainase dhe e ka konsideruar Ukrainën shtëpinë e tij të dytë për katër vitet e fundit. Gjatë asaj periudhe, ai takoi një grua ukrainase me të cilën u martua, e cila është e fokusuar në punën humanitare në vendin e tij,” tha familja e tij.

Kontrata trevjeçare e Pinnerit do të skadonte më vonë këtë vit, pas së cilës ai planifikoi të ndiqte punë humanitare, sipas familjes së tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme