Lajme
Kështu do t’i përgjigjet Biden sulmit në Jordani: Parandalim më i fortë, por pa zgjeruar konfliktin
Demokracia
22:07 | 31 Janar 2024

Share:

Joe Biden doli nga portiku jugor i Shtëpisë së Bardhë dje në mëngjes, hoqi syzet e diellit dhe, përpara se të nisej për një ngjarje zgjedhore në Florida, njoftoi gazetarëve se kishte vendosur se si t’i përgjigjej sulmit të pretenduar nga milicitë pro-iraniane.

Të shtunën në mbrëmje një dron vrau tre ushtarë amerikanë në një bazë në Jordani: William Jerome Rivers, 46 vjeç, Kennedy Ladon Sanders, 24 vjeç dhe Breonna Alexsondria Moffett, 23, një burrë dhe dy gra, të gjithë rezervistë nga Georgia.

I pyetur nëse ai e konsideron Iranin përgjegjës, Biden u përgjigj: Unë i konsideroj ata përgjegjës në kuptimin që ata i japin armët kujtdo që kreu sulmin.

Ai shtoi se “unë nuk mendoj se ne kemi nevojë për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Kjo nuk është ajo që po kërkoj”.

Biden nuk dëshiron përshkallëzim, por vrasja e ushtarëve amerikanë – trupat e të cilëve ai do t’i mirëpresë personalisht në atdheun e tij – ndryshon përllogaritjen.

Presidenti po mendon për një përgjigje të fortë që rikthen frenimin që ka dështuar siç e pranojnë vetë këshilltarët e tij: prandaj veprime më vendimtare krahasuar me reprezaljet e tre muajve të fundit kundër pozicioneve pro-iraniane në Siri dhe Irak, pas 160 sulmeve të tyre ndaj bazave amerikane (pa llogaritur ato të Houthi-ve kundrejt anijeve tregtare).

Objektivi është ndalimi i sulmeve të milicisë.

Por në vlerësimin se si të përgjigjet, Shtëpia e Bardhë duhet të shmangë efektin e kundërt: hapjen e fronteve të reja ose theksimin e konfliktit në ato tashmë të hapura.

Irani ka thënë se çdo sulm në territorin e tij do të kalonte “vijën e kuqe”.

Ditët e fundit, Biden u ka kërkuar këshilltarëve të tij disa opsione hakmarrëse.

“Përgjigja mund të jetë shumështresore, të vijë në faza dhe të jetë e qëndrueshme me kalimin e kohës”, tha sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili do të kthehet në Izrael për të gjashtën herë në tre muaj të shtunën.

Ai shtoi se “ne nuk kemi parë një situatë kaq të rrezikshme si ajo me të cilën po përballemi tani në të gjithë rajonin që nga viti 1973 (Lufta e Yom Kipurit)”.

Ndër objektivat e mundshëm të bombardimeve “të shumta”: personeli iranian dhe anëtarët e Pasdaranit në Siri dhe Irak, asetet detare në Gjirin Persik, sistemet e inteligjencës, vendet e prodhimit të armëve, duke përfshirë dronët.

Në të njëjtën kohë, sulme të mundshme kibernetike dhe sanksione të mëtejshme, edhe nëse nuk ka asnjë sektor të ekonomisë iraniane që nuk është prekur dhe në çdo rast Kina vazhdon të blejë naftën e Teheranit.

Shtëpia e Bardhë mund t’i lëshojë një ultimatum Iranit dhe së bashku të punojnë përmes kanaleve diplomatike për të shmangur përshkallëzimin.

Llogaritja është se Teherani nuk mund të përballojë një përplasje të drejtpërdrejtë me Amerikën, por mund të shtyjë Hezbollahun në Liban për të shtuar sulmet ndaj objektivave të SHBA-ve dhe Izraelit. Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike, Hossein Amir-Abdollahian, deklaroi se Biden “e di mirë se e vetmja zgjidhje për luftën e Izraelit në Gaza është politike”.

Këshilltarët shpresojnë për një përgjigje të qetë dhe kompetente që demonstron lidershipin amerikan.

Problemi i Bidenit nuk është vetëm ushtarak dhe gjeopolitik: është edhe politika e brendshme gjatë fushatës së tij për rizgjedhje.

Koalicioni i Partisë Demokratike është i ndarë: disa protestojnë kundër luftës në Gaza, por disa nga mbështetësit e presidentit janë gjithashtu të shqetësuar se ai mund të ndërmarrë veprime të njëanshme pa autorizim nga Kongresi.

Ndërkohë, skifterët e Partisë Republikane fajësojnë politikën qetësuese të Bidenit dhe Obamës ndaj Iranit, ndërsa Trump – i cili gjithashtu konsideroi dhe përjashtoi një sulm në një vend bërthamor iranian në vitin 2020 – akuzon rivalin e tij për dobësi.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post 

Të ngjashme