Lajme
Këshilli i Prindërve ende nuk ka qëndrim për grevën e paralajmëruar
Demokracia
09:33 | 29 Mars 2022

Share:

Këshilli i Prindërve të Kosovës ende nuk ka asnjë qëndrim lidhur me grevën e paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Ymret Rushiti, kryetar i këtij këshilli, tha se janë në pritje të vendimit dhe se tani është shumë herët të dilet me një qëndrim.

Në një prononcim për lajmi.net, Rushi deklaroi se edhe nëse merret vendimi për mbajtje të grevës, si këshill mund të japin qëndrim e tyre pro apo kundër, por se nuk mund ta parandalojnë atë.

“Ende nuk kemi qëndrim sepse herë pas herë po ka thirrje (për grevë), por nuk ka diçka definitive. Ne ende nuk e dimë se është marrë ndonjë vendim. Tash shumë herë është për të dhënë ndonjë qëndrim. Jemi duke e përcjell situatën dhe me kohë do të reagojmë”.

“Greva mund edhe të mos mbahet, pra nuk jemi të sigurt. Nëse vendoset të mbahet grevë ne nuk mund ta parandalojmë. Po presim njëherë se çka po vendoset. Ne çdo herë kemi reaguar, por edhe kur kemi pasur të drejtë nuk është marrë parasysh”, u shpreh ai.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dje ka paralajmëruar se në tërë sistemi arsimor do të mbahet grevë në rast se kërkesat e punëtorëve të arsimit nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës.

Vendimi pritet të merret më 2 prill, kur do të mbahet mbledhja e delegatëve të Kongresit të kësaj sindikate.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, për lajmi.net ka thënë se sistemi arsimor rrezikohet të shkojë në grevë, si pasojë e mosgatishmërisë se qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të sindikatës dhe mos publikimin e versionit final për Ligjin e Pagave.

Mes tjerash, ai bëri të ditur se për të ndërmjetësuar një takim me kryeministrin Albin Kurti, i janë drejtuar me një letër presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

“I kemi dërguar letër Presidentes dhe kryetarit të Kuvendit që ata të ndërmjetësojnë te Qeveria që të kemi dialog gjatë kësaj jave. Kërkojmë që Qeveria të bëjë një shtesë prej 100 euro për të gjithë punëtorët e arsimit, që nga çerdhet deri në universitet ngase kemi rritje të vazhdueshme të rritjes së çmimeve në produkte ushqimore”, u shpreh kryetari i SBASHK-ut.

Të ngjashme