Lajme
Këshilli i Evropës i kërkon Serbisë t’i hapë arkivat e ushtrisë e t’i dënojë rastet e mohimit të krimeve të luftës
Demokracia
21:09 | 10 Mars 2024

Share:

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, në letrat drejtuar kryeministrave të vendeve anëtare të KiE-së në territoret e ish-Jugosllavisë, kërkoi që të ndërmerren hapa konkretë në adresimin e së kaluarës së dhunshme në nivel kombëtar dhe rajonal, në mënyrë që popujt e rajonit të ecin drejt kohezionit social, drejtësisë dhe pajtimit.

Në letrat drejtuar vendeve anëtare të KiE-së – Serbisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë – përmenden rastet e mohimit të mizorive të kohës së luftës dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës nga liderë e figura politike. Në rastin e Serbisë, përmendet edhe hapjave e arkivave të ushtrisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Mijatoviç, në letrën drejtuar kryeministres serbe, Ana Bërnabiç, në pjesën e rekomandimeve për Serbinë, përveçse dënoi rikthimin e diskursit etno-nacionalist, mohimin e mizorive të kohës së luftës dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, kërkoi nga shteti serb që t’i hapë arkivat ushtarake për të lehtësuar kërkimin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

“Të hapen arkivat ushtarake për të lehtësuar kërkimin e personave të zhdukur. Të dënohen të gjitha rastet e mohimit të krimeve të kohës së luftës dhe glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, duke përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin etnik, promovimin e pajtimit dhe kohezionit social ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe fetare”, shkruan në letër.

Serbia në shtator të vitit të kaluar u zotua për hapjen e arkivave shtetërore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por ende nuk është treguar e gatshme për të dhënë informacione për varrezat masive të shqiptarëve.

Në këtë drejtim, në letrën e komisioneres boshnjake adresuar autoriteteve serbe theksohet se ballafaqimi me të kaluarën nuk është përpjekje e orientuar drejt së shkuarës që do t’i pengonte vendet respektive të ecin përpara, por parakusht për ndërtimin e shoqërive kohezive dhe demokratike, bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Të ngjashme