Lajme
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, letër KE-së: Situata e shqiptarëve në Luginë është kritike
Demokracia
16:34 | 07 Maj 2023

Share:

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës ku e ka shfaqur shqetësimin lidhur me situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Siç mund ta keni dëgjuar edhe nga disa raportime mediatike, si dhe nga raporti i Komisionit Evropian i vitit 2021 , nga raporti më i fundit i Departamentit të Shtetit të SHBA-së , nga raportet e Komisionit të Helsinkit të Serbisë për të drejtat e njeriut , situata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është kritike. Vizita jonë atje e konfirmoi plotësisht këtë situatë”, thuhet në letrën e ambasadorëve shqiptarë.

“Një spastrim etnik modern me të drejtë quhet pasivizimi i adresave, i cili realizohet me ligj dhe që u mundëson autoriteteve shtetërore serbe të çregjistrojnë nga regjistri civil banorët e Luginës, të cilët në një kohë të caktuar nuk gjenden në shtëpitë e tyre”.

“Procesi i verifikimit është i njëanshëm dhe diskriminues, ndërsa vetë zbatimi i ligjit është jashtëzakonisht diskriminues i kryer vetëm në dëm të pakicës shqiptare në Serbi. Pasivizimi i adresave ka pasoja direkte negative për përditshmërinë e shqiptarëve. Më tej, ai sjell shpopullimin e Luginës nga shqiptarët dhe h heqjen e të drejtës së votës”.

Në letër përmendet edhe heqja e së drejtës për votim të shqiptarëve atje, duke thënë që qëllimi i serbëve është largimi i shqiptarëve nga kjo zonë.

“Janë mijëra shqiptarë të Luginës, të cilëve tashmë e drejta e votës dhe e qëndrimit iu janë hequr nga regjistrat shtetërorë civilë të Serbisë”.

“Nga takimet e zhvilluara me personalitete politike të Luginës së Preshevës, por edhe me qytetarë të thjeshtë, mësuam për gjendjen e zymtë në Luginë, për mungesën e investimeve publike, diskriminimin ndaj shqiptarëve në punësim në administratën vendore dhe shtetërore, për mbylljen e gjykatës që detyron shqiptarët të shkojnë në qytetin e distancuar të Vranjës për çdo nevojë ligjore, etj”.

“Të gjitha sa më sipër kanë çuar në një spastrim etnik modern, diskriminim etnik dhe dhunë, veçanërisht ndaj minoritetit shqiptar që jeton në trojet e veta, të paprecedentë edhe për vetë Serbinë, siç dëshmohet nga raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe në raportet dhe studimet e Komitetit të Helsinkit të Serbisë”.

“Qëllimi është largimi i popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike në këtë zonë”.

KASh-i më tej ka thënë që do që ta sjellë në vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare gjendjen e shqiptarëve në Luginë dhe shprehjen e nevojës për trysni ndaj qeverisë serbe.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të përgatisë dhe dërgojë letra, bazuar në gjetjet e tij nga vizita në terren, edhe organizatave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare, me qëllim ushtrimin e presionit për të siguruar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi”.

Të ngjashme