Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar paraburgimin e zyrtarit policor, i cili në vitin 2018 kishte keqtrajtuar një qytetar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm ka kërkuar paraburgim prej një muaji për zyrtarin policor, Haris Kelmendi i cili në vitin 2018 kishte keqtrajtuar një qytetar në stacionin policor gjatë detyrës zyrtare, shkruan Dmeokracia.com.
Po ashtu prokuroria njofton se i njëjti është ndaluar pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Njoftimi i plotë i prokurorisë, pa ndërhyrje:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, më 30 janar 2021, ka ndaluar personin me inicialet H.K., zyrtar policor, i cili në vitin 2018, kishte keqtrajtuar një qytetar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. I njëjti është ndaluar, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386, paragrafi 1 pika 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Personi i lartpërmendur, dyshohet se pas lirimit nga ndalimi, ka penguar zhvillimin e të provuarit në procedurë, duke i bërë thirrje të dëmtuarit-dëshmitarit që ta tërheqë deklaratën e tij të dhënë në polici dhe duke i penguar hetimet.
Prokurori i Shtetit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, në gjykatën kompetente. /Demokracia
Lexo edhe:
Keqtrajtimi i 18-vjeçarit në polici, rekomandohet suspendimi i tre zyrtarëve policor