COVID-19KosovaSot:0Të gjitha:272,214|Bota 650,702,814
Intervista
Kërkohet anulimi i vendimit për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, është ndërhyrje në drejtësi
Demokracia
16:42 | 23 Nëntor 2022

Share:

Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët po konsiderohet si ndërhyrje në drejtësi dhe veprim që ngrit potencialin për korrupsion në sistemin e drejtësisë.

Njohësi i drejtësisë, Gëzim Shala, ka thënë se arsyetimi i Qeverisë së Kosovës për këtë vendim nuk është adekuat, andaj edhe kërkon që një vendim të tillë sa më shpejt ta anulojë Qeveria e Kosovës.

Shala: Vendimi i Qeverisë për ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet ndërhyrje në drejtësi

“Nuk kemi të bëjmë ne asnjë lloj shfuqizimi të vendimit, por kemi të bëjmë me ulje të pagave, e cila ulje e pagave nuk është në linjë me standardet e përcaktuara nga Komisioni i Venecias dhe që qartazi paraqet një ndërhyrje në drejtësi. Arsyetimi i Qeverisë së Kosovës se vendimi ka vlejtur deri në nxjerrjen e aktgjykimit nga ana e Gjykatës Kushtuese përkitazi me projektligjin për pagat për sektorin publik nuk është argument adekuat për faktin sepse aktgjykimi Gjykatës Kushtetuese e ka shfuqizuar projektligjin e pagave në sektorin publik dhe nuk ka ligj me të cilën adresohet kjo çështje. Aspekti i dytë është se ky aktgjykim ka hyrë në fuqi para më shumë se 2 vite e 4 muaj dhe që deri më tani nuk kemi pas asnjë reagim për këtë arsye definitivisht që ky vendim qartazi paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe si i tillë në asnjë rrethanë nuk duhet të vazhdohet tutje, duhet të anulohet nga Qeveria”, tha ai.

Shala po ashtu vendimin e Qeverisë së Kosovës për ulje të pagave për gjyqtarë dhe prokurorë e ka konsideruar edhe kundër kushtetues.

Shala: Vendimi është kundër-kushtetues

“Definitivisht është kundër-kushtetues për shkak se respekton pritjet legjitime të nenit 41 të Gjykatës Kushtetuese dhe nenit 1 të protokollit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në këtë drejtim definitivisht se qartazi është në kundërshtim me Kushtetutën….dhe se një vendim i tillë edhe në gjuhën e Vetëvendosjes si opozitë, por edhe në bazë të standardeve kushtetuese dhe të Komisionit të Venecias është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën” ,theksoi Shala.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se me këtë vendim të tillë për ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokuroria është rritur potenciali për përfshirje të këtyre zyrtarëve në vepra korruptive.

Shala: Ky vendim ngrit potencialin për përfshirje të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vepra korruptive

“Derisa tash e një kohë janë këto paga dhe të njëjtit arsyeshëm kanë krijuar pritje legjitime dhe në bazë të tyre janë futur në detyrime financiare definitvisht që kjo e ngrit potencialin që të njëjtit më tutje të përfshihen në vepra penale korruptive dhe qe assesi kjo nuk është në interesin tonë… përveç qe është ndërhyrje në drejtësi qartazi paraqet një ngritje të theksuar të potencialit korruptiv brenda sistemit të drejtësisë”, u shpreh ai.

Shala po ashtu thekson se me këtë vendim të sotëm mund të nxitet edhe ikja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemit i drejtësisë.

Po ashtu, ai tha se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë mund të ndikojë edhe në efikasitetin e sistemit.

Shala: Vendimi i sotëm i Qeverisë mund të nxitë ikjen e gjyqtarëve e prokurorëve nga sistemi

“Nuk dua të besoj që Qeveria do të vazhdojë me këtë vendim, por dua të besoj që do ta anulojë këtë vendim. Nëse kjo nuk ndodh dhe shpresoj të mos jetë definitivisht se do të ndikojë edhe në efikasitetin e drejtësisë, ajo do të ndikojë defintivisht në ikjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana e sistemit të drejtësisë, mirëpo qartazi do të krijojë një demotivim shumë të madh duke pas parasysh problemet në kuptim të efikasitetit të sistemit të drejtësisë një demotivim i tillë qartazi e kthen prapa gjithë sistemin e drejtësisë, i cili nëse mund të themi është në teh të efikasitetit”, tha Shala.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), sot mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, dhe në orën 18:00 do të ketë edhe konferencë për medie.

Ky vendim ngjalli reagim edhe të partive opozitare, ku kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar se pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë.

Në vitin 2017 Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte marrë vendim për rritje të pagës së tij dhe zyrtarëve të kabinetit, por ky vendim automatikisht kishte prekur edhe pagat në drejtësi, të cilat ishin dyfishuar.

Qeveria Kurti në shkurt 2020 pati vendosur ta ndryshonte vendimin e Haradinajt duke ulur pagat për zyrtarët qeveritarë, por duke mos i prekur ato në drejtësi.

Por në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri, Albin Kurti e ndryshoi edhe këtë vendim me arsyetimin për kthim të ligjshmërisë./kp

Të ngjashme