Lajme
Kërkohet anulimi i vendimit për mbajtjen e “Sunny Hill”
Demokracia
10:45 | 05 Korrik 2022

Share:

Organizata “Qytetarët Aktiv” në Prishtinë i ka drejtuar kërkesë kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për anulimin e vendimit për lejimin e mbajtjes së Festivalit “Sunny Hill” në Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë.

Organizata thotë se nuk ka hasur në ndonjë thirrje për debat publik apo thirrje për pjesëmarrje në vendim. Kjo, sipas kësaj organizata, konsiderohet shkelje ligjore.

Organizata ka cituar Ligjin nr. 03/L-233 për mbrojtjen e Natyrës, ku përcaktohet se për shfrytëzim të të mirave të natyrës duhet pjesëmarrja e publikut.

“1. Gjatë hartimit të akteve ligjore, përkatësisht akteve për shpalljen e vlerave të mbrojtura të natyrës, planeve të menaxhimit me zonat e mbrojtura dhe planeve për shfrytëzimin e të mirave të natyrës si dhe dispozitave të përgjithshme ligjore të zbatueshme dhe të detyrueshme dhe dokumenteve në fushën e mbrojtjes së natyrës, duhet të sigurohet pjesëmarrja e publikut. 2. Publiku duhet të informohet për procedurën nga paragrafi 1. i këtij neni përmes lajmërimit publik”, thuhet në njoftim.

Organizata thotë se degradimin e biodiversitetit dhe mjedisit nga shfrytëzimi i festivalit e tregojnë faktet nga vitet e kaluara.

Gjithashtu është njoftuar se janë duke pritur edhe rekomandimet nga Instituti i Kosovës për mbrojtjen e Natyrës, për vendimin që “Sunny Hill” të mbahet në Peizazhin e mbrojtur të Gërmisë.

“Duke e parë urgjencën për të vepruar, kërkojmë që sa më parë të anuloni këtë vendim”, thuhet në ankesën e drejtuar komunës.

Më 14 qershor, ishte vendosur që “Sunny Hill” të mos mbahet në Prishtinë, duke u zhvendosur në Tiranë.

Organizatorët fajësuan institucionet e shtetit për mosdhënie të parcelës së premtuar prej 17 hektarësh në Bërnicë, ku parashihet që në të ardhmen të mbahet festivali.

Ndërkaq më 20 qershor nëpërmjet një komunikate të përbashkët, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës dhe “Sunny Hill Festival”, njoftuan se “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht.

 

Të ngjashme