Lajme
Kërkesat e eurodeputetëve: Serbia të ekstradojë Radoiçiqin – sanksione nëse vërtetohet lidhja me Banjskën
Demokracia
13:37 | 19 Tetor 2023

Share:

Parlamenti Evropian (PE) miratoi zyrtarisht një rezolutë që dënon sulmin terrorist në Banjskë, por edhe i bën thirrje Beogradit të bashkëpunojë me Kosovën. Kërkohet ekstradimi i Milan Radoiçiqit në Kosovë, por edhe sanksione për Qeverinë e Serbisë nëse vërtetohet se është e përfshirë në sulmin terrorist.

Deputetët e Parlamentit Evropian miratuan Rezolutën për konfliktin e armatosur në Banjskë, e cila u iniciua nga pesë grupe parlamentare në PE.

Në seancë plenare deputetët votuan që Propozimi i Rezolutës të hyjë në fuqi, por deri më tani nuk dihet se sa deputetë të PE-së kanë votuar për këtë propozim.

PE i kërkon Serbisë të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist të cilët ndodhen në Serbi.

Kjo i referohet kryesisht Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist.

Eurodeputetët i kërkojnë Serbisë ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë. Ndër të tjera, rezoluta propozon masa që duhet të miratohen ndaj Serbisë nëse ajo nuk i përgjigjet kërkesave të BE-së.

Propozimi është që të merren masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet zbulojnë se shteti i Serbisë ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist në Banjskë ose në sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës në maj të vitit 2023.

Sanksione janë parashikuar gjithashtu nëse “autoritetet serbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht”.

Më tej ata sugjerojnë që Komisioni Evropian të ndjekë shembullin e SHBA-së dhe të vendosë sanksione ndaj Milan Radoiçiqit.

Të ngjashme