Lajme
KE shpreh shqetësim për procesin zgjedhor në Serbi
Demokracia
15:22 | 19 Dhjetor 2023

Share:

Zëdhënësja e Komisionit Europian Ana Pisonero deklaroi sot në një konferencë për shtyp se KE konkludon, me shqetësim, se është e nevojshme të përmirësohet dhe reformohet procesi zgjedhor në Serbi.

Ajo tha se janë marrë parasysh të gjeturat preliminare të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-së për zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor.

Pisonero shtoi se krahas progresit të procesit zgjedhor dhe reformës zgjedhore, funksionimi i duhur i institucioneve demokratike është baza e integrimit europian të Serbisë.

“Komisioni Europian shprehu shqetësimin për procesin zgjedhor në Serbi, duke konsideruar se funksionimi i duhur i institucioneve demokratike është kushti kryesor për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian”, tha ajo.

Në konferencën e mbajtur në selinë e BE-së, u theksua se Komisioni pret raportin përfundimtar nga vëzhguesit dhe rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme, të cilat duhet të zbatohen sa më shpejt dhe para zgjedhjeve të ardhshme.

Autoritetet në Serbi pritet që në mënyrë transparente të ofrojnë raporte të besueshme për parregullsitë e përmendura zgjedhore, shtoi ajo.

Këtu përfshihen akuzat për zgjedhjet lokale në Beograd dhe komunat e tjera me thirrje drejtuar lidershipit politik serb për të siguruar një dialog konstruktiv të të gjithë spektrit politik.

Të ngjashme