Drita dhe Gjilani janë para duelit që përcakton se kujt i takon “shtafeta” e qytetit dhe Anamoravës në përgjithësi.
Të mërkurën me fillim nga ora 15:00, në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, pa praninë e tifozëve për shkak të sigurisë, Drita dhe Gjilani sfidohen në derbin numër 41 në histori.
Ish-kapiteni që dha shumë për Gjilanin, Ylber Kastrati ka rrëfyer për Demokracia.com shumëçka nga përjetimet e derbit.
Ndjenjat më të veçanta që ka përjetuar në jetë, Kastrati thotë se i ka përjetuar në ndeshjen kundër Dritës.
“Padyshim ndër ndjenjat më të veçanta që kam përjetuar në jetë janë emocionet e derbit. Prap do të vazhdoj t’i shijojë, mirëpo nga ky pozicion ndjenjat janë më të sikletshme dhe jam më gjykues. Është një ndjenjë e veçantë që i dhuron qytetit në përgjithësi. Era e derbit fillon të ndjehet shumë javë më parë para lojës. Debatet, pritshmëritë, analizat e ndryshme. E mira e derbit është se janë dy arena që i mundësojnë të gjithëve të jenë pjesëmarrës në rivalitet. Njëra është fusha që i takon lojtarëve dhe tjetra tribuna qe i takojnë tifozerive, aty ku vërtet është spektakli dhe shprehet dashuria sportive”, tha Ylber Kastrati në rrëfimin e tij për Demokracia.com.
Një nga momentet që Kastrati nuk e harron kurrë është goli i minutës së 97-të para disa vitesh, për të cilën grupi i tifozëve “Skifterat” duke thumbuar rivalët, e kishin mbushur qytetin me një mbishkrim.
“Për mua normalisht që vend të veçant kanë “Skifterat” sepse unë jam njëri nga ata. Jam falënderues për gjithçka që kanë bërë për mua e sidomos me mbishkrimin mbas golit (kundër Dritës para disa vitesh në minutën e 97-të) ku ende ka shkrime në murët e qytetit: “Je e bukur si goli i Ylber Kastratit në minutën e 97-të”, theksoi Kastrati, duke u shprehur optimist se Gjilani ka forcë për ta fituar derbin dhe ta vazhdojë ecurinë pozitive.
“Në nivelin e futbollit kosovar besoj është ndjenja më e fuqishme që mund ta përjetojë një futbollist. Janë nga ato ndeshjet të cilat çdo futbollist jeton për t’i përjetuar. Shpresoj dhe besoj se Gjilani ka grup të mirë të futbollistëve dhe si gjithmonë me motivin që dinë të japin “Skifterat” në mënyrat unike që i bëjnë ata. Besoj që Gjilani do të këtë forcë për të triumfuar dhe për të vazhduar ecurinë pozitive”, nënvizoi për fund ish-mbrojtësi me shumë përvojë i Gjilanit./Demokracia.com/