Lajme
Kaq para ia kishte dhënë Vetëvendosjes asamblisti i arrestuar në rastin “Brezovica”
Demokracia
22:36 | 11 Tetor 2022

Share:

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka vazhduar edhe sot aksionin në Brezovicë. Në aksionin e sotëm janë sekuestruar 50 vila që janë në pronësi të biznesmenëve e politikanëve të ndryshëm.

Aksioni i sotëm është vazhdimësi e disa aksioneve paraprake në Brezovicë.

Një prej protagonistëve të rastit të njohur si “Brezovica” është edhe asamblisti i Vetëvendosjes, Berat Lahu, njëherësh dhëndër i ministrit Liburn Aliu, shkruan Demokracia.com.

Lahu u arrestua më 21 shtator, pas një operacioni që lidhet me rastin “Brezovica”.

Dy ditë më vonë, Lahu u suspendua edhe nga anëtarësia në Lëvizjen Vetëvendosje. Lajmin e kishte bërë të ditur Vetëvendosje, e cila ka thënë se deri në zbardhjen përfundimtare të këtyre pretendimeve, Berat Lahut i suspendohet anëtarësia.

Por, ai ndër vite kishte qenë njëri prej donatorëve të Vetëvendosjes, shkruan Demokracia.com.

Në vitin 2011, ai i kishte dhënë donacion për Vetëvendosjen 1 mijë e 50 euro.

Lahu në vitin 2012 i kishte dhënë donacion për Vetëvendosjen edhe 1 mijë euro të tjera.

Ndërsa, në raportin financiar të Vetëvendosjes, del se Lahu nuk ka dhënë ndonjë donacion deri në vitin 2017.

Në vitin 2017, ai kishte dhënë 2 mijë euro të ndara në tri pjesë.

Kurse, në vitin 2021, Lahu kishte dhënë vetëm 20 euro donacion.

 

Berat Lahu si drejtor i KEDS-it për distriktin e Ferizajt, dyshohet se ka fituar si dhuratë një tokë në vlerë të 20 mijë eurove, në këmbim të lidhjes së rrjetit të energjisë për vilat që po ndërtoheshin në zonën e mbrojtur me ligj në Brezovicë.

Lahu, sipas dosjes së Prokurorisë, ka kërkuar ryshfet në shumën prej 60 mijë eurove për të ndikuar tek zyrat e KEDS-it në Prishtinë. Me këto dy veprime, Lahu dyshohet se ka kryer veprën penale “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale “Ushtrim i ndikimit” mund të dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. /Demokracia.com/

Të ngjashme