Lajme
Kanë kaluar 2 vjet prejse Kurti e Osmani filluan të deklarohen se mund të nis luftë me Serbinë
Demokracia
08:14 | 24 Shkurt 2024

Share:

Në fund të vitit 2021 fillimisht e më shpesh nga viti 2022, institucionet e Kosovës, paralajmërojnë një mundësi për luftë në Kosovë.

Ishte fillimisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili fliste për mundësinë e një konflikti në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pas Kurtit ishte presidentja, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se Kosova vazhdimisht po pranon kërcënime nga Serbia.

Së fundmi edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Kosova po përballet me një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare.

Duke shtuar se “48 bazat e përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë një kërcënim i vazhdueshëm për vendin”.

Për profesorin dhe ekspertin e sigurisë, Fatmir Qollaku, deklarimet e tilla tregojnë më shumë për një luftë e cila i përket “karakterit psikologjik”.

Kjo pasi sipas tij, Serbia përmes këtyre veprimeve po përpiqet të krijojë pasiguri tek qytetarët.

“Kjo është një situatë më shumë e karakterit të një lufte psikologjike, e një lufte hibride ku Serbia, përmes propagandës në afërsi me kufirin me Kosovën përpiqet të krijojë një pasiguri në Kosovë dhe të ndikojë te qytetarët e po ashtu njëkohësisht të kërcënojë strukturat tona udhëheqëse”, thotë Qollaku gjatë një bisedë për Albanian Post.

Por, ai konsideron se krerët e institucioneve nuk duhet të dalin me deklarata të tilla.

Sulmi në Banjë më 24 shtator.

Nga këndvështrimi i tij, kjo mënyrë e komunikimit nga institucionet e Kosovës, me popullin është e gabuar.

“As kryeministri dhe as ministri i dikasterit përkatës nuk do të duhej në publik të deklarohen në forma të tilla, sepse kemi deklarime të kryeministrit që nga shtatori i vitit 2022, se do të ketë luftë dhe qytetarët kanë arsye të brengosen sepse zyrtarët e lartë deklarojnë se do të ketë luftë”.

“Nuk është për pëlqim kjo mënyrë e komunikimit me publikun tonë, ata duhet të organizojnë strukturat e veta brenda mandatit që kanë”.

Si njohës i çështjeve të sigurisë, ai tregon edhe mënyrën se si institucionet duhet të veprojnë në këtë situatë.

“Kosova duhet të veprojë me përkushtim të plotë me ligjin dhe Kushtetutën dhe në bashkëpunimin dhe koordinim me miqtë ndërkombëtare. Institucionet e kanë për detyrë ta ruajnë rendin në vend, në kuptimin e ruajtjes së kufijve dhe sovranitetit të Kosovës dhe të mbrojë me çdo kusht vendin nga provokimet”.

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thekson se për këto deklarata të krerëve të shtetit duhet të angazhohen institucionet dhe të veprojnë për ta ruajtur sigurinë e Kosovës.

“Shqetësimet që ngritën nga autoritet tona në vazhdimësi për strukturën në kufi që po krijohet kërkojnë që ndërkombëtarët ta luajnë rolin e tyre në këtë rast edhe KFOR-i edhe EULEX-i”, thotë Ibishi për AP.

Më 20 dhjetor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ruajtja e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa, një grup i armatosur më 24 shtator të 2023-së, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Foto nga Policia e Kosovës. Gjetja e arsenalit të armëve në Banjë.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Më 16 shkurt, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar se INTERPOL-i ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për të gjithë terroristët e Banjës në sulmin e 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshtari tashmë i shpallur hero Afrim Bunjaku.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kishin dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Të ngjashme