Lajme
Jeta e shtrenjtë në Republikën e Kurtit | Bankat fillojnë të japin kredi për drutë e dimrit
Demokracia
12:40 | 10 Shtator 2023

Share:

As buka, as mielli, as vaji, as sheqeri, as kripa, as qumështi, as drutë e dimrit, as rryma, asgjë nuk kushton më lirë pas ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës.

Çmimet e të gjithë këtyre artikujve, për të cilët Kurti premtonte se do t’i lironte edhe më shumë, kanë lëvizur në drejtim të kundërt – janë rritur shumëfish më shumë, shkruan Demokracia.com.

Pavarësisht këtyre çmimeve të larta, pagat kanë mbetur në nivelin e njëjtë dhe për më keq, me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave, nga shkurti i vitit 2024, shumëkujt do t’i përgjysmohen të ardhurat.

Në këtë situatë kur shpenzimet mujore dhe sezonale nuk mund të mbulohen me këto të ardhura, bankat kanë filluar “të gjejnë zgjidhjen” për qytetarët e Republikës së Kurtit.

Në rrjete sociale, institucionet financiare kanë filluar të shfaqin ofertat e tyre për kredi deri në 1,000 euro, të cilat mund të tërhiqen pa ndonjë garancion, por thjeshtë me letërnjoftim.

“Gati për dimër?”, pyet një nga këto institucione financiare, derisa njoftimi mbulohet me pamjen e drunjëve të domosdoshëm për ngrohje, për shumë familje, gjatë muajve të ftohtë të dimrit.

 

“Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi. Shumë kemi kapacitet”, kishte deklaruar Kurti më 26 shtator të vitit 2019, por kur ai u bë kryeministër, mbështeti fuqishëm rritjen e çmimit të energjisë elektrike për mbi 100%.

“Aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa paguajnë”, thoshte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës gjatë muajit janar 2022 kur po diskutohej për shtrenjtimin enorm të faturës së energjisë elektrike.

Kështu kishte premtuar edhe për çmimet e artikujve të shportës familjare, por tashmë s’ka asnjë dyshim se ky ishte një mashtrim tjetër nga Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

“Buka, mielli, vaji, sheqeri, kripa, qumështi dhe arsimi në përgjithësi, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe mua në Qeveri, këto do të përjashtohen nga TVSH-ja”, u premtonte Kurti qytetarëve të Kosovës. “Edhe buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nga 36 cent që është mesatarja e çmimeve për muajin shkurt të vitit 2014 bëhet 31 cent, sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent, qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet 78 cent”, specifikonte çmimet Kurti. /Demokracia.com/

Lexo më shumë: https://demokracia.com/nuk-e-dinim-se-dikur-gjithcka-ishte-me-lire-derisa-erdhi-albin-kurti-me-faturat-e-shtrenjta/

Të ngjashme