Lajme
“Jemi të shokuar, nuk e duam këtë luftë”, shtohen protestat edhe në Rusi, gati 3 mijë të arrestuar
Demokracia
12:34 | 28 Shkurt 2022

Share:

 “Nuk na ngelet veçse të qajmë, çdo të ndodhë me ne?”. Përtej propagandës së Kremlinit që pasqyron një vend të bashkuar në vullnetin e Putin për të sulmuar Ukrainën, në terren faktet flasin ndryshe, janë gjithmonë e më shumë protestat në qytete të ndryshme të Rusisë, nga një publik gjithmonë e më shumë i tronditur nga efektet e luftës, por edhe nga pasiguria për jetën e tyre, që pritet të përkeqësohet dukshëm nga sanksionet perëndimore.

Sipas burimeve të shoqërisë civile ruse, të cituara nga CNN, janë 2692 civilët e arrestuar, deri më tani, nga forcat policore, në 27 qytete ku janë zhvilluar manifestime të dimensioneve të ndryshme.

Një akt plot kuraje në Rusinë e Putin, ku autoritetet e kanë bërë të qartë që protestuesit do të cilësohen si tradhtarë, duke njollosur biografinë, diçka që mund t’i kushtojë në të ardhmen.

Por edhe me kërcënime, protestat nuk ndalen, veçanërisht nga klasa e mesme dhe e profesionistëve të shkolluar, që informohen më shumë nga mediat e huaja dhe perceptojnë qasjen negative që vendi i tyre po tregon ndaj të gjithë botës.

“Jemi të gjithë të shokuar, rusët nuk e duan këtë luftë. Shohim që e gjithë bota po na urren, por ky është vendimi i një njeriu të vetëm”, thonë disa prej tyre.

Të ngjashme