Lajme
Izraeli do të sjellë 65,000 punëtorë të huaj për të zëvendësuar palestinezët
Demokracia
23:10 | 04 Shkurt 2024

Share:

Izraeli do të sjellë 65,000 punëtorë ndërtimi nga India, Sri Lanka dhe Uzbekistani për të zëvendësuar punëtorët palestinezë të pushuar nga puna pas sulmeve të 7 tetorit.

Pothuajse gjysma e kantiereve të ndërtimit të vendit u mbyllën pasi 72,000 punëtorë ndërtimi palestinezë u dëbuan nga vendi, përcjell Telegrafi.

Rreth 20,000 punëtorë të huaj mbetën, por pjesa më e madhe e punimeve të ndërtimit të vendit janë ndalur.

Një zëdhënës i ministrisë së strehimit tha se grupe të reja punëtorësh të huaj priten të mbërrijnë në javët në vijim pasi qeveria kërkon të shmangë mungesën e furnizimit që do të rriste edhe më tej çmimet e banesave.

Ndërkohë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është deklaruar edhe një herë për një marrëveshje të mundshme për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Kjo deklaratë erdhi pasi marrëveshja e pengjeve shihet si rrezik për ndarjen e kabinetit të krahut të djathtë të vendit.

“Përpjekjet për lirimin e pengjeve po vazhdojnë në çdo kohë. Siç e theksova edhe në Kabinetin e Sigurisë, ne nuk do të pajtohemi me çdo marrëveshje për asnjë çmim”, tha Netanyahu.

Ndryshe, javën e kaluar ministri i Sigurisë Kombëtare nga ekstremi i djathtë, Itamar Ben-Gvir, tha se “një marrëveshje e pamatur është e barabartë me shpërbërjen e qeverisë”, shkruan skynews.

Gjithashtu, sipas Ben-Gvir përgjigja e SHBA-së do të ishte “krejtësisht e ndryshme” nëse Donald Trump do të ishte në pushtet, duke treguar kështu hapur mbështetjen për ish-presidentin Trump.

Këto komente u hodhën poshtë nga Netanyahu i cili tha se “Unë nuk kam nevojë për asnjë ndihmë në marrëdhëniet me SHBA-në dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Të ngjashme