Lajme
“Izolimi” i ish-krerëve të UÇK-së, Kurti sikur Konjufca e Haxhiu premton përkujdesje dhe s’bën asgjë
Demokracia
14:37 | 24 Nëntor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas vendimit të Dhomave të Specializuara për pezullimin e vizitave dhe të gjitha komunikimeve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti në një prononcim për media ka thënë se institucionet e Kosovës i kanë mundësitë e kufizuara që të ndikojnë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Por, ai tha se bashkë me kreun e Kuvendit, Glauk Konjufcën, po punojnë në këtë drejtim.

“Është zhvillim negativ, por mundësitë janë të kufizuara që të kemi ndikim. Jemi duke menduar si të ndihmojmë bashkë më Glauk Konjufcën”, tha ai.

Por, pavarësisht se kishin premtuar edhe më herët angazhim rreth Gjykatës Speciale, drejtuesit e institucioneve të Kosovës nuk janë marrë fare me këtë punë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas vizitës që u kishte bërë ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, kishte theksuar se Gjykata Speciale nuk është në kontrollin e askujt.

Gjithashtu, Konjufca kishte thënë se do të jenë afër tyre me vëmendjen e plotë kah procesi që po zhvillohet në Hagë.

“Nuk e di, shumë e rëndësishme të jemi sa më afër me njëri-tjetrin dhe ta kalojmë këtë sfidë dhe kjo është sfidë e popullit të Kosovës. Edhe ata të cilët ndodhën atje, mendoj që kanë respekt për institucionet e Kosovës, sepse vetë kanë qenë pjesëtarë në institucione, si president dhe kryetar i Kuvendit. Ne do të jemi afër tyre dhe me vëmendje kah ky proces. Ta zëmë, larg qoftë, nëse aktakuza konfirmohet dhe shtyhet deri në fund, mendoj që nuk është çështja e dënimit të individëve, mendoj që ka me u dëmtu UÇK-ja dhe bazat e mënyrës së shtetndërtimit të Kosovës”, vijoi Konjufca.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kohë më parë kishte thënë se në bisedat që i ka pasur me Konjufcën, asnjëherë s’e kanë adresuar çështjen se duhet Qeveria apo Kuvendi ta mbikëqyr Gjykatën Speciale, sepse sipas saj, s’mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Sikurse për Konjufcën, ashtu edhe për mua e Qeverinë, besoj edhe për të gjithë ne, nëse shqetësohemi për diçka është se Gjykata Speciale s’i raporton askujt”, kishte thënë ajo.

“Thuhet se Gjykata Speciale është në kuadër të sistemit tonë të drejtësisë. Po të ishte e tillë, ajo do të raportonte në Këshillin Gjyqësor apo Prokurorial, por ajo s’e bënë, prandaj i bie që s’i raporton askujt”, ishte shprehur Haxhiu.

E para e drejtësisë në Kosovë, kishte thënë se ishte ndjerë e shqetësuar gjatë vizitës së saj në Hagë, teksa kishte takuar edhe Avokatin e Popullit, pasi sipas saj, ata (Gjykata Speciale) e kanë edhe avokatin, edhe Gjykatën Kushtetuese paralele.

“Ajo çfarë jam shqetësuar është se çfarëdo pyetje që e kemi ngritur te avokati, ka thënë se “është çështje konfidenciale” edhe përkundër faktit që ne s’e kemi pyetur për çështje konfidenciale, sepse ne i dimë limitet tona”, ishte shprehur Haxhiu.

Tutje, ajo kishte thënë se ka kërkesë edhe nga vetë të paraburgosurit që të ketë një instancë mbikëqyrëse për Gjykatën Speciale, por që ajo të jetë ndërkombëtare, teksa shtoi se mbajtja e Thaçit dhe të tjerëve në paraburgim për kaq gjatë është shkelje e Kushtetutës së Kosovës.

“Duhet të jetë një diskutim shumë serioz edhe me partnerët tanë për të pasur një mekanizëm mbikëqyrës, sepse s’ka asnjë gjykatë që funksionon kësisoj”.

“Mendoj se mbajtja në paraburgim për një kohë kaq të gjatë është shkelje edhe e Kushtetutës, por edhe e konventave ndërkombëtare”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, përveç me ekipin e avokatëve.

Të ngjashme