Lajme
Ismaili: Kosova kurrë nuk ka pasur më pak sovranitet sesa këto vite që Kurti është në pushtet
Demokracia
22:49 | 03 Qershor 2023

Share:

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili ka reaguar për situatën që ka ndodhur në veri të Kosovës.

Ismaili përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kosova që nga shpallja e pavarësisë, kurrë nuk ka pasur më pak sovranitetit sesa këto vite që është kryeministër Albin Kurti.

Ajo tutje ka thënë se sovraniteti ka të bëjë edhe me institucionin kushtetuese, dhe sipas saj Qeveria e Kurtit e ka shkelur disa herë kushtetutën.

Ismaili ndër të tjera ka thënë se aty ku ka dështuar Serbia ta dëmtojë Kosovën ndërkombëtarisht, Kurti e ka shtruar rrugën dhe i ka ndihmuar.

Postimi i plotë:

Në qarqe të ndryshme antiperëndimore/antiSHBA/antiimperialiste/antiBE/ nëpër botë, aktualisht Albin Kurti është duke u festuar si një ‘Hero’, një ‘Apostull’ i sovranizmit.

Dhe me gjasë ai edhe po e shijon shumë këtë, pasi së fundmi po ka kohë të lirë dhe është shumë i pranishëm në mediat ndërkombëtare.

Por, cila është e vërteta pas sovranizmit populist të Albin Kurtit, mund të përshkruhet më së miri nga maksima: “në emër të sovranitetit kundër sovranitetit”.

Kosova kurrë, që nga pavarësia e saj, nuk ka pasur më pak sovranitet sesa këto vitet e fundit, që kur Kurti është në pushtet.

Nëse koncepti i “sovranitetit” ka të bëj edhe me institucionin kushtetues, atëhetë qeveria e Kurtit e ka shkelur Kushtetutën dhe kërcënuar institucionin disa herë.

Nëse koncepti “sovranitet” ka të bëj me institucione funksionale, atëherë e dimë që më asnjë institucion i RKS-së nuk është funksional në veri të Kosovës. Të gjitha u pezulluan.

Nëse koncepti i “sovranitetit” ka të bëj edhe me mbrojtjen e sovranitetit dhe interesave kombëtare në aleancë me fuqitë e mëdha, atëherë Kurti edhe këtë komponent (ekzistencial për Kosovën) e ka vënë në rrezik! Dëshmi janë sanksionet e aleatit më të madh të Kosovës, SHBA-së, që largoi Kosovën nga “Defender Europe 2023”, duke paralajmëruar edhe sanksione tjera,

Me një fjalë, aty ku Serbia ka dështuar ta dëmtojë Kosovën ndërkombëtarisht, me gjithë fushatat e fuqishme shumëvjeçare që ka lansuar dhe sponsoruar, Kurti ka shtruar rrugën dhe ndihmuar.

Serbia dhe Rusia thjesht janë më të lumtura se kurrë. Dhe Vuçiqi më i shpërlarë, se kurrë.

Por, fatkeqësisht është Republika e Kosovës 🇽🇰 ajo që është më e rrezikuar se kurrë më parë, që nga çlirimi. Duke përjetuar dëme afatgjata dhe të pariparueshme brenda dhe jashtë vendit, si dhe imazhin dhe performancat më negative në të gjitha nivelet.

Por, të gjitha këto mbesin në hije, kur më i rëndësishëm del të jetë PR-i i Kurtit i cili po lulëzon në dëm të Kosovës, të ardhmes dhe qytetarëve të saj.

Megjithatë, vlen të përmendet si interesante, se si të gjitha këto qarqe dhe rrjete që po festojnë Albin Kurtin si “sovranist” kundruall SHBA-ve, vijnë nga vende që nuk e njohin Kosovën shtet i pavarur dhe sovran.

 

Të ngjashme