Lajme
Ish-ministri Latifi: Si qytetar i lirë mund të punoj më shumë për shëndetësinë
Demokracia
20:20 | 16 Dhjetor 2022

Share:

Ish–ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, deklaroi se nuk ka hequr dorë nga Kosova dhe se nuk do të heqë dorë kurrë.

Nga Kolegji i Kirurgëve në Prishtinë, ai foli për Klan Kosova, ku tha se nuk ka hatërmbetje me kryeministrin Kurti dhe se tash nga pozita e qytetarit të lirë mund të punojë më shumë për shëndetësinë e Kosovës.

“Kur je në kafazin politik, është ndryshe se sa kur je qytetar i lirë dhe ekspert i lirë, mund ta përdorësh imagjinatën tënde për t’i ndihmuar vendit. Kur je ministër, vet fakti se duhet me u marr me gjithçka, nuk ke kohë me u marr me një projekt të madh për një kohë sepse janë disa çështje akute për çdo ditë”.

Për ardhjen e tij në Kosovë, profesor Latifi u shpreh se kësaj radhe e kishte më të vështirë, krahasuar me herën e kaluar, për shkak të siç tha, të gjithë asaj që ka ndodhur.

Ai shtoi se gjatë kohës sa ishte në krye të ministrisë së shëndetësisë ndoshta s’është dashur të merrej me të gjitha projektet në të njëjtën kohë. Megjithatë ai vlerëson se është i kënaqur me atë çka ka arritur, pavarësisht se thekson që të gjitha projektet nuk do të shihen menjëherë.

“Shëndetësia është një plagë e madhe e Kosovës. Shëndetësia nuk i takon vetëm ministrit të shëndetësisë e as kryeministrit, por secilit prej nesh. Po duket se po merremi me sene pa vlera të mëdha e nuk po merremi me shëndetësinë”.

“Unë do të vazhdoj të vi në Kosovë ashtu si në të kaluarën. Tash ndoshta vi pak më shpesh sepse disa projekte që kanë filluar duhet me i mbaru”, deklaroi Latifi.

Të ngjashme