Lajme
Ish-këshilltari i Kurtit: Osmani nuk ka asnjë mundësi të refuzojë dekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror
Demokracia
19:03 | 13 Prill 2022

Share:

Durim Berisha, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani nuk ka asnjë mundësi për ta refuzuar dekretimin e Blerim Isuafujt si Kryeprokuror i Shtetit. 

Ai ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës që nuk ka bërë punë të mjaftueshme në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

“Presidentja Osmani nuk ka asnjë mundësi te refuzoje dekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit. Dekretimi ne kete rast ka thjeshte karakter formal/ceremonial.
Puna për përmirësimin e sistemit të drejtësisë nuk eshte marre mjaftueshëm seriozisht nga kjo qeveri. Vettingu qe s’po përmendet me nuk do s’mund te realizohet edhe ashtu.
E qytetari i Kosovës mbetet në mëshirën e “blerimave” tjerë.”, ka shkruar Berisha.

Kujtojmë që Zyra e Presidentes, të premten e 8 prillit, e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.

Zyra e Presidentes ka konfirmuar gjithashtu se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit pa analizuar dokumentacionin e pranuar dhe pa u konsultuar me organizatat që e kanë mbikëqyrur procesin e përzgjedhjes së tij.

“Duke ditur rëndësinë e këtij procesi, Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces. Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”.

E para e shtetit, Vjosa Osmani, thekson se kandidati i propozuar duhet të plotësojë edhe kriterin e integritetit mes tjerash.

“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit. Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”.

Procesi i përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit është përcjellë me reagime të ashpra nga organizatat që e kanë monitoruar këtë proces, ashtu si edhe nga ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë./ Demokracia.com/

Të ngjashme