Lajme
IPK jep detaje për aksionin “Pika 2” dhe arrestimin e 26 policëve në Vërmicë
Demokracia
14:49 | 08 Prill 2022

Share:

Në pikën kufitare në Vërmicë janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, prej tyre dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë.

Në komunikatën e përbashkët të Inspektoratit Policorë dhe Porkurorisë Speciale thuhet se arrestimi ndodhi gjatë operacionit të koduar me emrin “Pika 2” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, respektivisht në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, përcjell Demokracia.com.

“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare ‘Perëndimi’ në Gjakovë respektivisht pikë kalimit kufitar në Vërmicë. Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale. Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit ‘Pika 2’ ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë), që të gjithë të dyshuar për veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ ‘marrje e ryshfetit’”, thuhet në komunikatë.

“Nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar në veprimtari kriminale të veprës penale të ‘marrjes së ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar’ . Si pjesë e procedurave administrative nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët tashmë të arrestuar”, thuhet më tej në komunikatë.

Aksioni është zhvilluar edhe në Shqipëri. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të ditur detaje nga operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës në pikën kufitare të Morinës.

“Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore – AMP-së (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri) që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë”.

Në njoftimin për mediat, SPAK deklaron se procedimin penal për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ka filluar mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

“Gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës. Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, deklaron SPAK.

Kujtojmë që më 14 mars IPK dhe Prokuroria Speciale kishte një aksion të quajtur “Pika” e ku ishin arrestuar 48 policë.

Ata u patën arrestuar në pikat kufitare “Qafë Prushë” dhe “Qafë Morinë” e që dyshohen se janë të përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE| Këta janë emrat e 26 policëve kufitarë të arrestuar nga Inspektorati Policor në Vërmicë

EKSKLUZIVE| Këta janë 15 nga 26 policët kufitarë që u arrestuan sot në Vermicë nga Inspektoratit Policor (Emrat)

 

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024