Intervista
Intervistë| Kuç flet për shumëçka: Nga suksesi me Ballkanin, e ardhmja në Suharekë e deri tek ftesa nga Kosova
Demokracia
20:00 | 01 Janar 2023

Share:

Edvin Kuç, mesfushori nga Rozhaja e Malit të Zi, si kapiten i Ballkanit, e udhëhoqi ekipin suharekas në rrugëtimin e tyre drejt sukseseve të arritura në vitin 2022. Kuç në një intervistë të gjatë për Demokracia.com ka rrëfyer gjithçka rreth vitit që e lamë pas. Nga vështirësit drejt titullit të parë, historisë në Ligën e Konferencës, të ardhmes në Suharekë e deri tek ftesa e mundshme e Kombëtares së Kosovës apo Përfaqësuesja e Malit të Zi.

Mesfushori i palodhur i Ballkanit të Suharekës rrëfimin e tij e nisi duke e vlerësuar vitin 2022 si më të suksesshmin në karrierë.

Sigurisht që vitin 2022 do ta kujtojë si vitin më të suksesshëm deri më tani, për herë të parë u bëmë kampion të Kosovës. Luajtëm në Evropë dhe për herë të parë luajtëm në fazën e grupeve të një gare evropiane. Që nga fillimi i kampionatit ishte e vështirë. Të gjithë e dimë se si humbëm titujt në vitet e mëparshme, nuk e fituam as Evropën, e dinim që ky mund të ishte shansi i fundit për të treguar se çfarë vlejmë”, tha fillimisht Kuç për Demokracia.com.

Përkundër sukseseve këtë vit, Kuç nuk e ka lënë pa përmendur edhe “pengesat” e tij dhe bashkëlojtarëve në rrugëtimin përrallor.

Nuk ishte e lehtë. Kemi pasur shumë presion. Por, ishim të vetëdijshëm për cilësitë tona. Me ardhjen e trajnerit Ilir Daja, gjithçka u bashkua dhe me meritë u bëmë kampion në fund dhe treguam se kemi kualitete për gara shumë më kërkuese. Ballkani si klub e meritoi. Presidenti Arsim Kabashi bëri shumë përpjekje, ishte gjithmonë me ne dhe falë Zotit gjithçka iu shpërblye” , pohoi ai.

Në pyetjen se a e sheh të ardhmen e tij te Ballkani, Kuç e pranoi hapur se është i lumtur në Suharekë.

Tani në janar bëhen katër vite që jam te Ballkani. Që nga dita e parë jam pritur mirë. Falë të gjithë njerëzve në Suharekë dhe të gjithë fansave, që më kanë pranuar dhe mbështetur që nga dita e parë. Unë jam i lidhur me kontratë me Ballkanin. Do të jem atje për sa kohë të jem i respektuar. E shijojë Suharekën. Kam takuar shumë miq të mirë. Familja ime dhe unë jemi të lumtur, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, theksoi futbollisti.

29-vjeçari ka paralajmëruar kundërshtarët se Ballkani këtë edicion është në “rrugë të mbarë” drejt titullit të dytë në histori.

Ne jemi gjithmonë favorit për titull, sidomos tani pas këtij suksesi. Jemi në rrugë të mbarë për të mbrojtur titullin”, deklaroi tutje Kuç.

Për fund, Edvin Kuç u përgjigj edhe në pyetjen se a do ta pranonte ftesën nga Kombëtarja e Kosovës.

Nuk e kam menduar. Por e them sërish, Ballkani dhe Suhareka më dhanë shumë. E shijojë jetën dhe futbollin. Për sa kohë të jem i lumtur dhe i respektuar do të qëndroj këtu ku jam”, nënvizoi mesfushori i Ballkanit Edvin Kuç në intervistën e tij për Demokracia.com.

Të ngjashme