Intervista
INTERVISTË| Ish-ambasadori Bosch: Propozimi franko-gjerman është zgjidhja e vetme në këtë kohë
Demokracia
09:33 | 28 Tetor 2022

Share:

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka folur për propozimin më të përfolur të ditëve të fundit franko-gjerman si mundësi për zgjidhjen problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bosch në një intervistë për Demokracia.com ka thënë se përfshirja e një numri kaq të madh të emisarëve të shteteve perëndimore tregon për rëndësinë e arritjes së kompromisit mes Kosovës e Serbisë.

“Ky numër kaq i madh i të dërguarve nënkupton që ky proces po merr vëmendje të madhe. Kjo, sepse ju nuk mund ta keni këtë konflikt të ngrirë, që të vazhdojë përgjithmonë, posaçërisht tani në kohën e konfliktit në Ukrainë. Ne nuk mund të kemi një problem të ri. Kemi parë edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, që deklaroi për një media gjermane se Rusia po tenton që ta destabilizojë edhe rajonin për të shpërqendruar vëmendjen nga veprimet që po ndërmerr në Ukrainë, gjë që është diçka shqetësuese. Prandaj, nga ky pikë vështrim, ne do të duhet të tentojmë që të gjejmë një zgjidhje dhe nëse ky propozim gjerman është ide e mirë, mendoj se duhet të shqyrtohet. Nuk po them që jam ekspert i kësaj çështjeje, por nga ajo që kam lexuar duket si zgjidhja e vetme për këtë kohë. Sepse, me këtë Qeveri që është në Serbi dhe më vjen keq të them, me çdo Qeveri që është në Serbi, nëse i shikoni edhe partitë e tjera, ata nuk do ta njohin [Pavarësinë e Kosovës]. Ju mund të thoni se procesi [I dialogut] duhet të përfundojë me njohje, por ata nuk do ta pranojnë një gjë të tillë”, ka thënë Bosch për Demokracia.com.

Sipas tij është vetëm një parti që mund ta bëjë këtë, por nuk ka peshë politike dhe kjo parti nuk do të fitojë kurrë zgjedhjet në Serbi.

“Nëse e vlerësoni opinionin publik, nëse mbani një referendum, gjithmonë kjo ide do të refuzohet [njohjen e pavarësisë së Kosovës]. Pra, nëse ka ndonjë rrugëdalje tjetër, nëse ka ndonjë kompromis – po, ndonjëherë duhet të bëni kompromise që nuk ju pëlqejnë, por arritja e një kompromisi në një shtet normal do të pranohej nga të gjithë, por për aq kohë sa situata është e tillë, kjo [propozimi franko-gjerman] mund të jetë zgjidhja. Është shprehje, që thotë se nëse jeni të hapur mund ta kaloni Rubikonin dhe këta dy liderë mund ta bëjnë, por mendoj se për Vuçiqin do të ishte më e vështirë sesa për Kurtin. Kjo, sepse nga këndvështrimi i Kosovës, ju keni më shumë hapësirë që të fitoni më shumë, por Vuçiqi do të mendojë se në këtë situatë humb më shumë”, ka shtuar ai.

Ish-ambasadori holandez ka thënë se këtë konstatim nuk e beson, sepse kjo është shumë më e mirë edhe për Vuçiqin, sepse edhe në këtë kohë, kur kanë çështje të pazgjidhura për Kosovën, ata kanë një reputacion të keq, prandaj nuk mund të vazhdojnë që t’i afrohen BE-së për aq kohë sa nuk e zgjidhin problemin me Kosovën.

“Çështja është sesi të zgjidhet kjo. Prandaj, mendoj se tani është koha e duhur për shumicën e palëve. Natyrisht se nuk mund të flas për të gjithë, por nga ajo që e di, ata janë pak a shumë në të njëjtën linjë. Unë tani jam në pension, por jam diplomat, i specializuar në punë të jashtme dhe duke qenë i kësaj fushe, e di se kur jeni kryeministër i një shteti ju keni shumë prioritete në shtetin tuaj po ashtu. Por, për shtetin tuaj, unë mendoj se kjo çështje është ndër më të rëndësishmet. Shumë gjëra po varen nga kjo, nëse kjo çështje zgjidhet do të ishte një shtysë e madhe për gjithë vendin. Kjo ishte në këtë marrëveshjen gjermane, ata nuk duhet të ndalojnë anëtarësimin në organizata. OKB-ja do të bllokohet nga Kina dhe Rusia, por në fakt [anëtarësimi i Kosovës], në fakt nuk do të bllokohej nga Serbia. Ata nuk kanë nevojë ta bëjnë këtë, sepse të tjerët do ta bllokojnë Kosovën për ta. Ata, po ashtu, duhet të mos e bllokojnë UNESCO-n, Këshillin e Evropës apo kudo, sepse ka shumë organizata ndërkombëtare, që [Kosova] është e rëndësishme që të bëhet anëtare, në mënyrë që të lehtësojë funksionimin e shumë proceseve. Mund të përmend edhe më shumë, por të gjitha këto organizata janë shumë të rëndësishme për një shtet funksional”, ka thënë për Demokracia.com, ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch.

Javëve të fundit janë shtuar diplomatët që po e përkrahin arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë sipas propozimit franko-gjerman. /Demokracia.com/

Të ngjashme