Lajme
Inteligjenca kroate: Koncepti i “botës serbe” synon veçanërisht Kosovën
Demokracia
13:00 | 13 Maj 2023

Share:

Serbia vazhdon të promovojë konceptin e “botës serbe”, e cila synon përhapjen e ndikimit politik, ekonomik, kulturor-fetar; në vendet e tjera fqinje ku jetojnë një numër i madh i popullatës serbe. Ky koncept synon veçanërisht Kosovën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, thuhet në raportin e fundit të Agjencisë kroate të Sigurimit dhe Inteligjencës Shtetërore për vitin e kaluar.

Sipas Agjencisë kroate të Sigurisë, pas luftës në Ukrainë, zona e Ballkanit Perëndimor hapi një hapësirë ​​për ndikimin e “akterëve joperëndimorë” të cilët kërkojnë të përdorin paqëndrueshmërinë dhe institucionet e pazhvilluara shtetërore dhe sociale në Perëndim.

Ndërkaq, aty thuhet se Rusia përpiqet të projektojë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor kryesisht përmes Serbisë dhe Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

“Rusia përpiqet të ndikojë në këtë zonë me mjete jo tradicionale. Për shembull, në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka klube “Ujqërit e natës” sipas modelit të grupit të motoçikletave “Ujqërit e natës” nga Rusia, i cili është afër Kremlinit zyrtar dhe vetë Presidentit rus, Vladimir Putin”, tregon raporti, transmeton media malazeze “Pobjeda”.

“Ujqërit e natës” nga Rusia janë në listën e sanksioneve të BE-së nga 21 korriku 2022 dhe u ndalohet hyrja në vendet anëtare për shkak të përhapjes së propagandës ruse dhe fushatave anti-ukrainase. Anëtarët e “Ujqërve të natës” shpesh janë pjesëmarrës në protestat pro-serbe dhe pro-ruse në Serbi, Mal të Zi dhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në këtë raport flitet specifikisht për qasjen e Rusisë, dhe qëllimet e saj në Ballkanin Perëndimor, dhe theksohet situata e brishtë në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë – ku tregohet se Federata Ruse tenton që të shkaktojë një tension në mes të dy vendeve.

“Rusia po përpiqet të ruajë edhe propagandën e saj mediatike dhe ndikimin në Ballkanin Perëndimor, ku po përpiqen të promovojnë narrativen e tyre dhe të nxisin konflikte, veçanërisht në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në dokument.

Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Kroacisë, gjithashtu njoftoi se 18-të diplomatë rusë dhe gjashtë anëtarë të menaxhimit administrativ dhe teknik të ambasadës ruse në Zagreb u dëbuan nga Kroacia në prill të vitit 2022, sepse shumica e tyre ishin të angazhuar në punë të paligjshme të inteligjencës.

Po ashtu, në këtë raport vihet në pah se krimi i organizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor është ende i fortë dhe i lidhur me grupet kriminale në pjesën tjetër të Evropës, por edhe mes karteleve të drogës në Amerikën e Jugut, ndërsa vihet theksi më së shumti tek grupet kriminale serbo-malazeze, shkruan AlbanianPost.

“Grupet kriminale serbo-malazeze – më së shumti merren me kontrabandë dhe tregti të narkotikëve, janë ende në krye në zonën e Evropës Juglindore”, thekson dokumenti.

“Këto grupe (të quajtura edhe karteli ballkanik i drogës) lidhen gjithnjë e më shumë me kartelet e drogës amerikano-jugore, nga të cilët e blejnë kokainën dhe e transportojnë atë, kryesisht me rrugë detare, në perëndim dhe juglindje të Evropës, ku kanë degët e tyre. Ato karakterizohen nga përshtatshmëria dhe brutaliteti i shpejtë në konfrontimet e armatosura të ndërsjella që janë përhapur në territorin e BE-së, përfshirë Kroacinë. Konfrontimet e ndërsjella mes grupeve të organizuara kriminale ‘serbo-malazeze’ në vitet e fundit kanë rezultuar në vrasjen e dhjetëra anëtarëve të tyre në mbarë botën”, shpjegohet situata shqetësuese në dokument.

Gjithashtu, Raporti akuzon shërbimet ruse të inteligjencës se qëndrojnë pas shumicës së sulmeve hakere të zbuluara të sponsorizuara nga shteti ndaj institucioneve kroate gjatë vitit të kaluar.

Të ngjashme