Lajme
Inflacioni 14,1%, Kurti nga Greqia flet për rritje ekonomike dhe 25 mijë vendet e reja të punës
Demokracia
10:00 | 13 Korrik 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet që nga data 5 korrik në Greqi. Kurti në takimet në Greqi ka thënë se Kosova është storie suksesi dhe se pas fitores së partisë së tij, vendi ka pësuar rritje ekonomike. Në anë tjetër inflacioni është rritur 14.1 për qind dhe kjo përkthehet direkt në rritje të çmimeve të produkteve.

Kurti në Greqi ka thënë se Kosova ka pësuar rritje impersive të ekonomisë. Ai ka përmendur edhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Kemi pasur stabilitet institucional që na mundësoi të kemi rritje impresive ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e parë dyshifrore ndonjëherë pas çlirimit, më 1999.”, ka thënë ai ne Simpoziumin Symi që mbahet në Greqi.

“Pastaj kemi pasur rritje në investimet kapitale 10,3 për qind, i kemi shtuar 25,000 vende të reja në tregun e punës dhe kemi pasur rritje të eksporteve 83, 6 për qind përkundër bazës së ulët, eksportet janë rritur 83,6 për qind, procesimi i lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe sektorit të ICT.”, ka thënë tutje Kurti.

Derisa Kurti po vazhdon vizitën e tij në Greqi, duke ndjekur tryeza të ndryshme, e në të cilat asnjëherë nuk harron të theksojë rritjen e ekonomike, në Kosovë, Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] ka njoftuar se inflacioni është jashtëzakonisht i madh, 14.1%.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Por, gjatë muajit qershor, kosovarët u përballën edhe me shtrenjtimin e çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022”, thuhet tutje në këtë raport.

E për rritjen e inflacionit, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një prononcim për Nacionalen tha se rritja e dukshme e çmimeve vërehet te produktet kryesore si vajrat dhe yndyrat ushqimore.

“Çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Por, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe: Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%), gazi (39,3%), buka dhe drithërat (27,7%), qumështi, djathi dhe vezët (22,3%), etj.”, tha Hoti.

I pyetur nga Nacionale nëse do të thirret interpelancë për këtë çështje, Hoti deklaroi se LDK tashmë ka kërkuar heqjen e përkohshme të akcizës në naftë dhe zgjerimin e rritjes së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së.

“Kemi thirrur debat parlamentar dhe kemi prezantuar rezolutë me dy pika: heqja e përkohshme e akcizës në naftë dhe rritja e listës së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së prej 8%, por mazhoranca ka votuar kundër”, tha Hoti për Nacionalen.

Më tej, Hoti tha se ata nuk do të ndalen dhe do të vazhdojnë ta mbajnë përgjegjëse qeverinë për mosveprim.

“Nuk do të ndalemi. Do ta mbajmë përgjegjëse qeverinë dhe mazhorancën për mosmarrjen e asnjë veprimi për të zbutur krizën nga rritja e çmimeve”, tha Hoti.

Kujtojmë se Qeveria Kurti ka vendosur çmime tavan për derivate të naftës. Të njëjtën gjë ka paralajmëruar se do ta bëjë edhe me produktet të tjera bazike.

Një paralajmërim i tillë i ekzkutivit është kundërshtuar nga partitë opozitare të cilët kanë kërkuar reduktimin e TVSH-së dhe uljen e akcizës.

Deri më tani nuk kemi pasur asnjë reagim nga ana e Qeverisë për rritjen e inflacionit.

LEXO EDHE: 

Gjendje alarmante në Kosovë| Rriten përsëri produktet ushqimore, inflacioni shkon në rekord mbi 14 për qind

Të ngjashme