Lajme
INDEP shpreh shqetësimin për mosfunksionalizimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës
Demokracia
15:48 | 16 Shkurt 2022

Share:

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka shprehur shqetësimin për mosfunksionalizimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK).

INDEP ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht të procedohet me emrat për anëtarë të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Gjendja në treg është shumë e keqe dhe e rrezikshme për konsumatorët. Në treg janë rritur njëtrajtshëm të gjitha çmimet te të gjitha bizneset, përfshirë çmimi i bukës, i të gjitha produkteve ushqimore, derivateve të naftës e shërbimeve. Shtuar, ka shumë dyshime për marrëveshje të fshehta dhe dakordime mes bizneseve për fiksim të çmimeve. Funksionalizimi i AKK-së është i domosdoshëm në mënyrë që tregu të rregullohet dhe institucioni të mund të veprojë për mbrojtjen e konkurrencës, mandat ky ligjor për të cilin është i thirrur. INDEP pret që kjo kërkesë të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe që brenda muajit të ardhshëm të kemi një AKK funksionale dhe në krye të detyrës. Funksionalizimi i AKK-së në tregun e tanishëm që po i shkel të drejtat e konsumatorëve dhe po ç’ekuilibron konkurrencën e tillë është çështje që tejkalon çdo agjendë politike”, thuhet në reagimin e INDEP-it.

Kryetarit, nënkryetarit dhe tre anëtarëve të Bordit të AKK-së iu ka skaduar mandati pesëvjeçar më 9 qershor të vitit 2021.

“Qeveria qe 7 muaj nuk ka propozuar emrat e rinj, duke e lënë institucionin praktikisht pa asnjë mundësi për intervenim dhe mbrojtje të konkurrencës. Qeveria përpos që nuk e ka respektuar ligjin, edhe e ka shkeluar atë. Me Ligjin nr. 04/L-226 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/l-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Neni 25, paragrafi 5 thekson se: “Qeveria, gjashtëdhjetë (60) ditë para përfundimit të mandatit të anëtarëve të Komisionit, ia propozon Kuvendit për emërim ose riemërim kandidatin për anëtarë të Komisionit.” Qartazi, ky afat kohor nuk është respektuar e shkelja veç është thelluar. Është urgjente që Qeveria të kryejë detyrën e saj ligjore – të propozojë 5 emrat e anëtarëve të rinj të Komisionit të AKK-së, vendim ky që do të ç’bllokonte Autoritetin. Specifikisht, Komisioni i AKK-së drejton dhe organizon tërë punën dhe veprimtarinë e AKK-së. Nisur nga fakti se Kryetari i këtij Komisioni dhe anëtarët tjerë të Komisionit të AKK-së janë personat me më së shumti përgjegjësi institucionale për mbrojtjen e konkurrencës në treg, është e patolerueshme që Qeveria të zvarrisë përzgjedhjen e re të anëtarësisë të këtij Komisioni, duke shkaktuar shumë mangësi të tjera zingjirore në mbrojtjen e konkurrencës në treg dhe mbrojtjen e konsumatorit”, thuhet në reagim të INDEP-it.

Të ngjashme