Sport
Incidenti i tifozëve në ndeshjen e barazhit, Vushtrria i kërkon falje Llapit dhe FFK-së
Demokracia
11:55 | 30 Maj 2022

Share:

Klubi i Futbollit Vushtrria ka kërkuar falje për incidentin e shkaktuar nga tifozët e saj në ndeshjen e barazhit kundër Malishevës.

Vushtrria dështoi të inkuadrohej në Superligën e Kosovës pasi pësoi humbje 1:3 nga Malisheva në ndeshjen e barazhit të zhvilluar të shtunën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, shkruan Demokracia.com.

Në minutën e 76-të të takimit, tifozët e Vushtrrisë “Forca” kanë hedhur në fushë ulëset e stadiumit të përuruar vetëm pak muaj më parë.

Tifozët vushtrrias gjithashtu shqyen edhe rrjetën e portës duke bërë që ndeshje të ndërpritej për disa minuta.

Për veprimin e tifozëve, Vushtrria nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook i ka kërkuar falje klubit të Llapit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

Postimi i plotë:

KËRKIM FALJE!

Mbrëmë në mbledhjen e mbajtur nga kryesia e klubit në lidhje me rastin e së Shtunës me 28 Maj në ndeshjen e barazhit kundër KF Malishevës ne si klub kishim marrë të gjitha masat që gjithkah të shkonte sipas planifikimeve që kishim bërë, gjatë gjithë javës jemi koordinuar dhe kemi punuar ngusht me të gjitha palët e përfshira në organizim, KF Llapit njëherit e faleminderojmë për mikpritjen, si dhe organeve të FFK-së për organizmin e shkëlqyer, mirpo në minutën e 76-të për një moment ndodhi një situatë të cilën ne e dënojmë ashpër ku u hodhën ne fushë karrika dhe gjësende te tjera, dhe sharje në kor nga tifozë tanë ne drejtim të FFK-së.

Këto akte ne i dënojmë ashpër duke kërkuar falje publike kryesisë së KF Llapit dhe Federatës se Futbollit të Kosovës dhe gjithë sportdashëseve./Demokracia.com/

Të ngjashme