Lajme
Ilaç kundër COVID-19| OBSH miraton përdorimin e Paxlovid të Pfizer
Demokracia
17:03 | 24 Prill 2022

Share:

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar përdorimin e antiviralit oral Paxlovid, kundër Covid-19 të prodhuar nga kompania Pfizer, për pacientët me rrezik të lartë. Analizat e të dhënave, të kryera nga Agjencia në varësi të Kombeve të Bashkuara treguan se terapia ka ulur ndjeshëm rrezikun e shtrimit në spital.

Rekomandimi vjen ndërkohë që me mijëra njerëz vdesin nga Covid-19 çdo javë, pavarësisht rënies së infeksionin të rang global.

Sipas OBSH-së, nga trajtimet e deritanishme kundër Covid-19, vetëm ilaçi Paxlovid i Pfizer është më i fuqishmi. Një analizë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë me dy prova klinike, që përfshinin 3,100 pacientë sugjeroi se, Paxlovid ul rrezikun e hospitalizimit me 85%.

Ndërsa, pacientët me rrezik të lartë, me mbi 10% rrezik hospitalizimi, përdorimi i Paxlovid mund të çojë në 84 më pak shtrime në spital për 1000 pacientë. Gjithsesi, Janet Diaz, e cila kryesoi provat klinike të OBSH-së, deklaroi se këto terapi nuk e zëvëndësojnë vaksinimin, por thjesht japin një mundësi tjetër trajtimi për ata pacientë që infektohen dhe janë në rrezik më të lartë, sidomos ata që refuzojnë të vaksinohen, shkruan SCAN.

Megjithatë, ka disa sfida që mund të kufizojnë adoptimin e Paxlovid. Përderisa duhet marrë në fazat e hershme të sëmundjes për të qënë efikase, qasja në teste të shpejta dhe të sakta është e domosdoshme për identifikimin e pacientëve. Gjithashtu, Paxlovid mund të ndërveprojë me shumë medikamente të tjera, duke e komplikuar më tej përdorimin e tij.

Një tjetër problem është se ky antiviral nuk është testuar për gratë shtatzëna. Të gjithë këta faktorë kanë bërë që kërkesa të jetë më e ulët se oferta për Paxlovid, në vendet që ka qënë i disponueshëm për disa kohë. Gjithsesi, Pfizer vazhdon të nënshkruajë kontrata me vende të ndryshme për të shitur antiviralin, por detajet rreth çmimit mbeten ende shumë konfidenciale.

Të ngjashme