Lajme
IKSHPK me apel për banorët e fshatit Marec: Uji nuk është i pijshëm
Demokracia
15:04 | 06 Prill 2023

Share:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se për banorët e fshatit Marec uji nuk vazhdon të jetë i pijshëm.

“Duke i respektuar shqetësimet e banorëve të fshatit Marec, për cilësinë e ujit për pije, sot sërish ekipi nga IKSHPK vizitoi fshatin Marec. Situata me ujin e pijshëm është e njëjtë si para dy javësh. Uji ka turbullirë të shtuar, ngjyrë të verdh në të gjelbër dhe si i tillë ky ujë nuk është për pije”, thonë nga IKSHPK.

Po ashtu është bërë e ditur se rezultatet preliminare të analizës kimike flasin për mospërputhje me standardin e paraparë, UA nr. 10/2021 ”Cilësia e ujit për konsum nga njeriu”.

IKSHPK në kuadër të mandatit të vet si dhe në pajtim me përgjegjësitë e veta ligjore rekomandon autoritetet përgjegjëse – KK Prishtina dhe KRU ”Prishtina“ që secila prej tyre në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të ndërmarrin masa të nevojshme për zgjidhjen afatgjate të furnizimit me ujë të sigurte gjatë 24-orëve të banorëve të kësaj zone.

Problemi bëhet edhe më madhor pasi që situatë e ngjashme është edhe në 21 fshatra tjera të kësaj zone.

Me qëllim të mbrojtjes dhe avancimit të shëndetit të banorëve, IKSHPK rekomandon banorët e këtyre fshatrave që burimet natyrore ekzistuese dhe bunaret individuale:

-të pastrohen mekanikisht nga mbeturinat,

-të mirëmbahet (të sanohet kaptazha, rezervuari dhe gypi shpërndarës)

– dhe përfundimisht uji të dezinfektohet,

IKSHPK konsideron që zbatimi i këtyre masave është i domosdoshem për tejkalimin e problemit aktual të cilësisë së ujit për pije dhe rrjedhimisht mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

Të ngjashme