Lajme
Identifikohen pas 72 vjetësh eshtrat e një ushtari amerikan
Demokracia
19:10 | 12 Nëntor 2022

Share:

Eshtrat e një ushtari amerikan janë identifikuar 72 vjet pasi ai u vra dhe u shpall i zhdukur gjatë Luftës së Koresë, ka thënë qeveria amerikane.

Tommie T Hanks, atëherë 27 vjeç, u vra pasi njësia e tij u përpoq të tërhiqej nga një vendndodhje afër Anju në Korenë e Veriut, në vitin 1950.

Trupi i tij u shpall “i pa rikuperueshëm” gjashtë vjet më vonë.

Gati shtatëmijë e 600 nga të vrarët në luftë janë ende të pagjetur, sipas Departamentit të Mbrojtjes së ShBA.

Agjencia e Kontabilitetit të POË/MIA të Mbrojtjes (DPAA) tha se Hanks u raportua i zhdukur në aksion, më 26 nëntor, derisa njësia e tij po përpiqej të tërhiqej nga lindja e lumit Ch’ongch’on pranë Anju.

“Eshtrat e tij nuk u gjetën dhe nuk ka asnjë provë se ai ka qenë ndonjëherë rob lufte”, tha DPAA në një deklaratë.

Identifikimi i Hanks u bë i mundur pasi Koreja e Veriut ktheu 55 kuti që përmbanin eshtrat e pjesëtarëve të shërbimit amerikan të vrarë gjatë luftës koreane, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv

Për të identifikuar mbetjet e Hanksit, shkencëtarët përdorën analiza antropologjike dhe izotopike, si dhe prova rrethanore.

Ai do të varroset në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në një datë që ende nuk është përcaktuar.

Që nga viti 1982, eshtrat e mbi 450 amerikanëve të vrarë në luftën koreane janë identifikuar dhe janë kthyer te familjet e tyre për varrim me nderime të plota ushtarake.

DPAA thotë se eshtrat e qindra pjesëtarëve të shërbimit ende të pagjetur janë klasifikuar si “të parikuperueshme”.

Lufta në Kore konsiderohet si konflikti më vdekjeprurës i epokës së Luftës së Ftohtë, sipas DPAA, me SHBA-në që pësoi rreth 36 mijë e 500 viktima.

Të ngjashme