Lajme
Ibrahimi reagon ashpër: Nagavci s’u konsultua me komunat për vendimin, librat mund të vonohen
Demokracia
16:28 | 21 Gusht 2023

Share:

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka reaguar ashpër pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për librat.

Ai ka thënë se Nagavci nuk është konsultuar fare me komunat për këtë vendim, që prindërit t’i blejnë librat vetë.

“Po vazhdohet me marrjen e vendimeve në mënyrë arbitrare. Ministrja Nagavci nuk është konsultuar fare me drejtorët komunal të arsimit (DKA) për këtë metodologji, pra që prindërit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre, e që më pas ministria t’ua rimbursojë paratë atyre, përmes aplikimit në e-Kosova. Neve si AKK do e kemi takimin e kolegjiumit të arsimit (ku DKA-të janë anëtar) ku edhe do të diskutohen këto probleme. E ftuar është edhe Ministrja Nagavci. Pra po themi që këto vendime po merren pa u konsulutuar fare me komunat”, ka thënë ai për Nacionalen.

Ibrahimi ka ngritur alarmin se tekstet shkollore mund të vonohen edhe më shumë.

“DKA-të nuk janë të informuara fare për këtë çështje dhe kjo tregon se tekstet shkollore mund të vonohen akoma më shumë dhe që kjo të ketë pasoja në një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor! Nuk kemi informata lidhur me rregullimin ligjor të kësaj çështje. Ne jemi në dijeni se MASHTI e ka obligim Ligjor që t’I siguroj tekstet shkollore për nxënësit që vijojnë mësimin e obliguar. Kush garanton se mjetet do të shpërndahen saktë në llogaritë e prindërve kur dihet se shumë prindër mund të mos kenë llogari bankare? Si do të përzgjedhen tekstet e shkollave nga ana e prindërve (fjala është për shtëpitë botuese)? Çka nëse një libër ka qenë I kontraktuar të shtypet për 5 euro e që po të njëjtin libër prindërit duhet ta paguajnë në librari 7 euro? Çfarë mase ka paraparë MASHTI që të jetë i sigurt se nxënësit do t’i blejnë të gjitha tekstet shkollore të parapara? Ka komuna që nuk kanë librari fare . Këto janë problemet që MASHTI është dashur t’I diskutojë me komunat përpara se të sjellë vendime të tilla”, ka deklaruar Ibrahimi.

Të ngjashme