Lajme
Ibrahimi: Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive
Demokracia
21:37 | 26 Gusht 2022

Share:

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, duke folur për synimin e Serbisë për të krijuar një Asociacion të Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutiv ka thënë se askund në Evropën Lindore nuk ka një mekanizëm i cili quhet Asociacion i komunave, e që ka kompetenca ekzekutive.

Ai ka thënë se sikur Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të ishte vetëm OJQ sigurisht se nuk do të shkonte puna për t’u dialoguar për të në Bruksel.

“Gjykata Kushtetuese e ka dhënë drejtimin ka duhet të shkohet. Marrëveshjet ndërkombëtare janë të ratifikuara në Kuvend dhe çdo shtet serioz marrëveshjet ndërkombëtare duhet t’i merr parasysh. Në Evropën juglindore nuk kemi mekanizëm i cili quhet Asociacion e që ka kompetenca”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka potencuar se asociacionet janë organizata joqeveritare të parapara me karta evropiane.

“Kemi marrë pjesë në shumë takime ndërkombëtare por nuk kemi hasur ndonjë përfaqësues të ndonjë mekanizmi të quajtur asociacion e që ka kompetencë, sepse atëherë roli i atij mekanizmi nuk mund të jetë asociacion”, ka shtuar ai.

Sipas tij tani është lehtë të veprohet pasi Gjykata Kushtetuese e ka dhënë drejtimin rreth kësaj teme.

“Ndoshta është më mire të formohet një grup punues sa i përket kësaj çështje. Fatmirësisht edhe në marrëveshjen e vitit 2015 thuhet se statuti që do të hartohet nga Qeveria e Kosovës duhet patjetër të dërgohet në Kushtetuese. Këtë e kanë pranuar edhe Kosova, edhe Serbia e edhe BE. Edhe Mogherini në atë kohë ka deklaruar se ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, ka shtuar Ibrahimi.

Ai ka thënë se kur ka aktivitete të përbashkëta me organizata ndërkombëtare komunat me shumicë serbe i përgjigjen ftesave, por asnjëherë nuk ju kanë përgjigjur pozitivisht ftesave për takime nën logon e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Të ngjashme