Lajme
Ibrahimi: Asociacioni i Komunave të Kosovës po shpërfillet nga Qeveria Kurti
Demokracia
18:44 | 09 Gusht 2023

Share:

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se AKK nuk është ftuar dhe nuk ka marrë pjesë në takimin e grupit punues për hartimin e udhëzimit administrativ për largimin e kryetarëve në komunat veriore.

Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se Asociacioni i Komunave të Kosovës është duke u shpërfillur nga Qeveria Kurti.

“AKK nuk ka qenë i ftuar dhe nuk ka qenë pjesë e këtij grupi punues për hartimin e këtij udhëzimi administrativ. Nuk e di se kush e ka thënë këtë, mirëpo asociacioni as nuk ka pranuar ftesë, por as nuk ka qenë i përfaqësuar në këtë grup punues”, ka thënë Ibrahimi.

“Po më duket që është bërë një lloj zakoni në këtë qeveri që komunat mos të ftohen në grupe punuese ku kanë të bëjnë me kompetenca dhe përgjegjësi në lidhje me buxhetin e komunave”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kjo nuk është hera e para që ministritë e kësaj qeverie nuk e ftojnë asociacionin që të merr pjesë në grupe punuese.

“Kjo tash është bërë si trend i dikastereve në qeveri që kryetarët e komunave të anashkalohen në konsultat sa i përket akteve ligjore, nënligjorë të cilat i prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë kryetarët e komunave. Pra është bërë si zakon që kryetarët e komunave të shihen si opozitë, këtë e ka theksuar edhe kryeministri Kurti”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë se kërkesat që burojnë nga kryetarët e komunave përmes AKK nuk janë duke u marrë parasysh dhe sipas tij, edhe kuptimi i këtyre takimeve me nivelin qendror është duke humbur.

Të ngjashme