Lajme
Ibrahimi: 22 komuna kanë më pak mjete për investime kapitale nga qeveria, po pengohen edhe në blerjen e druve për shkolla
Demokracia
09:42 | 02 Dhjetor 2023

Share:

Buxheti i vitit 2024 është diskutuar mbrëmë në emisionin EURO n’7. Dy profesorë universitarë të ekonomisë kanë realizuar një analizë të këtij buxheti ekskluzivisht për nevoja të emisionit.

Konstatimet e dala nga kjo analizë tregojnë se 22 komuna do të kenë më pak buxhet për investime kapitale sesa vitin e kaluar.

Raporti jo i mirë në mes të komunave dhe qeverisë edhe për ndarjen e buxhetit është përmendur edhe në Raportin e Progresit, pasi shumë kryetarë janë ankuar rreth buxhetit për investime kapitale.

Drejtori Ekezekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se kjo është herë e parë që në Raport të Progresit kërkohet përmirësimi i raporteve komuna – qeveri.

“Shumica e kryetarëve të komunave janë ankuar që mjetet financiare të cilat ndahen nga ministritë e linjës nuk kanë kritere objektive dhe kryetarët aludojnë se në disa raste këto mjete ndahen në baza politike dhe në baza etnike dhe se nuk ka kritere objektive. Aty janë mbi 100 milionë euro dhe për realizimin e projekteve nga këto mjete janë komunat. Ato para njëherë shkojnë në nivel qendror nëpër ministri dhe pastaj ato sillen si donator për komuna duke hartuar kritere për shpërndarjen e tyre dhe për këtë shumë komuna janë ankuar se po u bëhet padrejtësi politike”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, komunat do të ballafaqohen me mungesë të investimeve kapitale vitin e ardhshëm.

Ibrahimi ka thënë se nëse komunat do të falin nga 100 euro në tatim në pronë si dhe duke marrë parasysh zvogëlimin e mjeteve për investime kapitale, shumë kryetar do të kenë probleme.

“Nëse flasim për realizim të buxhetit niveli komunal është më mirë sesa niveli qendror dhe kjo tregon se komunat kanë planifikuar më mirë. Ndërsa komunat pos që kanë marrëdhënie jo të mira me qeverinë gjë që është evidentuar edhe në Raportin e Progresit, ato kanë probleme me agjencione të tjera qëndore. Një kryetar komune më është ankuar se ende nuk ka mundur t’i blejnë drutë për shkolla për shkak se ka më shumë se 6 muaj që OSHP nuk i kthen përgjigje, pra komunatë janë në hall”, ka thënë Ibrahimi.

Kryetarët kanë ankesa edhe se ministra të ndryshëm të qeverisë po dëshirojnë t’ua marrin meritat e tyre për realizimin e projekteve kapitale, duke shkuar dhe përuruar projekte komunale.

Të ngjashme