Lajme
I morën 120 ipad tre ditë më parë, Kuvendi tash i shpenzon edhe 45 mijë euro për laptop
Demokracia
21:29 | 10 Tetor 2022

Share:

Javën e kaluar, saktësisht tri ditë më parë, 120 ipad të llojeve të ndryshme janë ndarë për punonjësit e Kuvendit të Kosovës. Demokracia.com ka parë nga afër këta ipad, të cilët janë të markës Apple. Por, tash ky institucion ka hapur edhe një tender për blerje të disa laptopve, duke planifikuar t’i shpenzojë edhe 45 mijë euro. 

Punonjësit e Kuvendit të Kosovës duket se janë të dhënë shumë pas teknologjisë ose janë të “pangopur”.

Ende pa kaluar një javë, që kur Kuvendi ka shpërblyer 120 punëtorë të administratës më ipad të markës “Apple” , është shpallur një tender i ri për blerje të laptopve.

Në tenderin e shpallur nga ky institucion që drejtohet nga Glauk Konjufca është treguar se do të shpenzohen 45 mijë euro për furnizim me laptopë dhe PC, shkruan Demokracia.com.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 45 000,00. Furnizimi me pajisje të TI-së. LOT I Furnizimi me Laptop dhe PC “All in One”. LOT II Furnizimi me pajisje tjera të TI-së. Furnizimi me Laptop dhe PC “All in One” – 1,000.00 € (një mijë euro). Furnizimi me pajisje tjera të TI-së – 1,000.00 € (një mijë euro)”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Sipas dosjes së tenderit, me këto 45 mijë euro janë paraparë të blihen 11 laptopë dhe 22 PC. Po ashtu, për dy produktet do të blihen edhe çanta.

“Laptop 2 në 1 – gjithsej 11 copë; Adapter (shtesë) – gjithsej 5 copë; Çanta (shtesë) – gjithsej 10 copë. PC All-in-One – gjithsej 22 copë; Tastatura (shtesë) – gjithsej 20 copë; Mausa (shtesë) – gjithsej 20 copë”.

Po ashtu, është treguar se pjesë e blerjeve janë edhe disa pajisje tjera të TI-së.

“Kufje – gjithsej 150 copë; Kartela Mifare – gjithsej 200 copë; Regjistrues zëri (Diktafon) – gjithsej. 10 copë; Tastiera RGB – gjithsej 10 copë; UPS Smart 1000 VA, rack mounted – gjithsej 3 copë; Llamba SONY LMP – F330 për projektor – gjithsej 4 copë”.

Ky tender që është ndarë në dy loto është ndarë edhe në dy pjesë të shumës së parave.

“LOT I Furnizimi me Laptop dhe PC “All in One” – Vlera e parashikuar për LOT 1 32,000.00 €.  LOT II Furnizimi me pajisje tjera të TI-së – Vlera e parashikuar për LOT 2 13,000.00 €”.

Është bërë me dije se furnizimi me Laptop dhe PC “All in One”, duhet të jetë jo më vonë se 45 ditë pas nënshkrimit të kontratës. Kurse, furnizimi me pajisje tjera të TI-së duhet të bëhet jo më vonë se 20 ditë pas nënshkrimit të kontratës./Demokracia.com/

Të ngjashme