Lajme
Masakra ndaj Nika-s, 16-vjeçares iraniane të ngacmuar dhe vrarë nga policia
Demokracia
22:36 | 01 Maj 2024

Share:

Dje u bë e ditur se Nika ishte ngacmuar para se të vritej nga tre ushtarë të forcave iraniane të sigurisë.

Fotografia e saj bëri xhiron e të gjitha gazetave ndërkombëtare në shtator 2022, pak ditë pas vrasjes së Mahsa Amini-t.

Nika Shakarami ishte shumë e re, 16 vjeç , me sy të zinj, si flokët e saj, e me një buzëqeshje sfiduese.

Ajo ishte zhdukur gjatë një demonstrate kundër regjimit dhe familja kishte arritur të gjurmonte trupin e saj vetëm pas nëntë ditësh në një qeli në morg.

Bëri vetëvrasje, ky ishte versioni zyrtar.

Por askush nuk e besoi, as për një sekondë. Së bashku me Mahsa-n ajo ishte kthyer në një nga fytyrat simbolike të protestës.

Pak para se të zhdukej, ajo u kap në video pranë Parkut Laleh në qendër të Teheranit, duke qëndruar në një kazan duke tundur një hixhab të djegur.

Rreth saj ishin disa të rinj dhe bërtisnin “vdekje diktatorit”, ose liderit suprem të Iranit, Ajatollah Khamenei.

Ndoshta ajo video ishte dënimi i saj me vdekje.

Tani kanë dalë provat, falë një hetimi të gjatë dhe të përpiktë nga media britanike BBC , i cili verifikoi dhe hetoi për muaj të tërë një dokument “shumë konfidencial” të rrjedhur nga vetë forcat e sigurisë.

Në dokument mohohet versioni zyrtar. Dokumenti emëron atentatorët dhe komandantët që mbuluan rastin dhe rindërton historinë nga momenti i arrestimit deri në vdekjen e Nika-s, të shkaktuar nga agjentët.

Nika u mbajt nën kontroll nga policia dhe në veçanti nga Skuadra 12, përgjegjëse për vdekjen.

Ata përpiqen ta kapin për herë të parë, por ajo arrin të shpëtojë. Pastaj e kapin dhe e hedhin në pjesën e pasme të një furgoni.

Emrat e gardianëve në fjalë janë Arash Kalhor, Sadegh Monjazy dhe Behrooz Sadeghy, drejtuesi i skuadrës quhet Morteza Jalil.

Ata donin ta çonin në burg, por të gjitha qelitë ishin plot në ato ditë shumë të nxehta të protestave kundër diktaturës.

Sipas raportit të BBC-së, në furgonin që Nika u mbajt bërtiste dhe shkelmonte dhe tre oficerët përpiqeshin ta mbanin të qetë.

Në këto manovra një nga të tre ulet sipër saj, fut dorën brenda pantallonave për t’i prekur të pasmet. Më pas ai raporton se ishte “e emocionuar”.

Fillon një përleshje, Nika lufton, përpiqet të mbrohet, dhe oficerët lëshojnë goditje me shkopinj gjithnjë më të forta.

Derisa Nika nuk lëvizi më.

Me ndriçuesin në celular, kryepunëtori ndriçon skenën dhe urdhëron shoferin të tërhiqet.

I pastrojnë gjakun nga koka dhe e braktisin trupin në anë të rrugës.

Pjesa tjetër është një gënjeshtër shtetërore, një nga shumë të vërtetat e rreme të ndërtuara rreth tavolinës për të mbuluar qindra krime ndaj të rinjve që duan vetëm të këndojnë, kërcejnë, studiojnë, punojnë, të dalin si duan dhe të jetojnë në liri.

Por vuajtjet e familjes Shakarami nuk mbarojnë këtu. Dy javë më parë policia morale arrestoi edhe Aida-n, motrën e Nika-s, në Teheran.

Për momentin ajo është liruar me kusht dhe ndodhet në arrest shtëpiak.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Të ngjashme