Lajme
Hoti: Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë është nisur nga Isa Mustafa
Demokracia
20:28 | 18 Tetor 2022

Share:

Pas publikimit të çmimeve për konsumatorët nga Termokosi, ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti shkruar se projekti për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes kogjenerimit, që u bë në qeverisjen e Isa Mustafës si kryetar i Prishtinës dhe sipas tij kjo mbetet një ndër projektet më të rëndësishme të kryeqytetit.

“Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes kogjenerimit, i nisur në qeverisjen e Prishtinës nga Isa Mustafa me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes KfW, mbetet ndër projektet më të rëndësishme të kryeqytetit. Më vjen mirë që qeverisja aktuale e kryeqytetit e ka prioritet ngrohjen qendrore. Duhet që sa më shpejt të lidhen në sistem të ngrohjes blloqet e reja të banimit në Arbëri, tek rruga B, në Lagjen e Spitalit e të Muhaxherëve, në Matiçan, në Kalabri dhe lagje të tjera’’, ka shkruar ish-kryeministri Hoti.

Ai ka thënë se në këtë kohë krize është e nevojshme të gjinden edhe burime të tjera të ngrohjes gjatë dimrit.

“Në këtë kohë të krizës energjetike është tepër e rëndësishme të gjenden burime tjera të ngrohjes gjatë dimrit. Pres që projekte të ngrohjes të zhvillohen së shpejti së paku në qendrat e mëdha urbane të Kosovës’’, ka përfunduar statusin deputeti.

Të ngjashme