Lajme
Hoti për Kurtin: Nuk ka pasur të drejtë të jetë as deputet e as kryeministër
Demokracia
17:18 | 29 Janar 2021

Share:

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme që ia pamundëson Albin Kurtit kandidimin në zgjedhje.

Në një konferencë për media, Hoti tha se personat që kanë probleme me ligjin nuk është dashur të mbajnë poste publike as më herët, duke aluduar në kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

“Unë dëshiroj të jem në garë me njerëz që nuk kanë probleme me ligjin, kushdo që i plotëson këto kushte elementare të garës unë pres që të ballafaqohem me ta për politikat tona në të gjitha fushat. Për ata që kanë probleme me ligjin nuk është dashur që të mbajnë poste publike. Kryeministri përpara meje nuk ka pasur të drejtë të jetë as deputet e as kryeministër”, tha Hoti.

Gjykata Supreme ka vendosur për ankesat e subjekteve politike, ku nga pesë ankesat të subjekteve politike, dy prej tyre janë pranuar pjesërisht.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mbetur jashtë listës

Në vendimin e Supremes thuhet se kandidatët për deputetë, Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, duhet të përfshihen në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së.

Subjektet politike kanë dërguar ankesa në Supreme në lidhje me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të mos certifikuar kandidatët për deputetë që kanë pasur probleme me ligjin. /Demokracia.com/

Lexo edhe: 

Kurti deklarohet pas vendimit të Supremes që ia ndaloi kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit

Të ngjashme