Lajme
Hoti: Negocimi i statutit të Asociacionit po bëhet pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke
Demokracia
13:48 | 02 Maj 2023

Share:

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar para takimit të kryeministrit, Albin Kurti me presidentin, Aleksandar Vuçiq, duke thënë që nuk po e kupton pse negociohet në Bruksel, ku nuk ka kurrfarë premtimi për njohje reciproke.

Hoti ka shkruar në Facebook se negocimi i statutit të Asociacionit nga Kurti është veprim i një politikani “që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”

“Sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me asociacionin të ishin pjesë e “Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ndoshta do i kisha kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktual.”

“Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe Kurti dhe Vuçiq pritet të takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut. Prezantimi i statutit të Asociacionit dhe deklarata për të pagjeturit, janë dy çështjet kryesore që do të diskutohen.

Të ngjashme